Abuzimi me suplementet e magnezit mund t’ju dëmtojë shëndetin! Joka: Nuk duhet ta merrni sa herë keni ankth apo...

Përdorimi i suplementeve të magnezit pa këshillim mjekësor mund t’ju sjellë probleme shëndetësore. Të shumtë janë njerëzit që e marrin atë kur kanë ankth apo ndihen të pafuqishëm, pa kuptuar më parë shkakun. Nutricionisti Joka, ekspert i mjekësisë holistike shpjegoi në “Rreze Dielli” në Report Tv, rëndësinë e marrjes së magnezit nëpërmjet ushqimit dhe jo përmes suplementimit.
“Një person ka rreth 25 gramë magnez në trupin e tij. Ai ndodhet kryesisht në kocka, muskuj dhe inde, ndërsa një sasi shumë e vogël gjendet në gjak. Magnezi është i domosdoshëm për molekulën që furnizon trurin me energji. Ai është gjithashtu pjesë përcaktuese e sistemit elektrik të zemrës, ndihmon edhe në problemet me aritminë, por është shumë i rëndësishëm edhe për muskujt dhe relaksimin e tyre, si dhe për kockat”, u shpreh Joka.
Nutricionisti shpjegoi gjithashtu se kalciumi ka rol në tkurrjen e muskujve, pasi çdo tkurrje duhet të shoqërohet edhe me relaksimin përkatës. Magnezi merr pjesë në riparimin e ADN-së sonë. Ai ka rëndësi edhe në lidhje me insulinën në gjak. Konsumimi i ulët i tij lidhet me diabetin e tipit 2, ndërsa te diabetikët është vënë re se humbja e magnezit sjell rritje të sheqerit në gjak”, u shpreh Joka.
Ai sqaroi gjithashtu se magnezi ndikon në funksionimin e vitaminës D, në ekuilibrin e kaliumit dhe është faktor përcaktues në sistemin tonë imunitar. Ndikon edhe në ritmin cirkadian dhe merr pjesë në procesin e prodhimit të proteinave në trupin tonë.
“Është një proces që quhet ribozom dhe magnezi ndikon shumë këtu”, u shpreh Joka.
Nutricionisti shpjegoi se magnezi është i rëndësishëm edhe për problemet me migrenën. Ai ndikon te nervat periferikë, si edhe te problemet me frymëmarrjen. Është i rëndësishëm gjatë shtatzënisë, duke ndikuar te placenta. Një rëndësi të veçantë ka edhe për rruazat e gjakut dhe mirëmbajtjen e dhëmbëve.
A na tregon analiza e gjakut sa magnez kemi në trup?
Analiza që bëjmë në gjak nuk është përcaktuese për të parë se sa magnez kemi në trup. Duhet bërë analiza e GFR-së, e veshkave, si dhe analiza e magnezit në urinë ose në qeliza. Duhen bërë edhe analizat e tiroides. Pra, nevojitet një kombinim analizash. Duhet parë niveli i kaliumit, si dhe disa minerale, si natriumi, kalciumi dhe fosfori, ferritina dhe vitamina B12.
Ne duhet të bazohemi te shenjat për të kuptuar nëse kemi mungesë magnezi!
“Kur kemi muskuj më të kontraktuar, spazma, tkurrje të pavullnetshme, kur muskuli lëviz vetë, lodhje, dobësi, dobësi të sistemit nervor, ankth të përditshëm, ndjesi shpimi, spazma në duar dhe këmbë, të cilat shoqërohen edhe me mungesë kalciumi; kur humbisni oreksin, kur dora shtrëngohet vetvetiu, kur bëjmë një analizë dhe shohim se kaliumi bie në gjak, kur keni ngërçe dhe rrahje të çrregullta të zemrës, kur njeriu është i plogësht, kur jeni apatikë dhe humbisni interesin për shumë gjëra. Nuk ka një analizë të vetme që të na tregojë, prandaj duhen parë edhe shenjat”, këshillon Joka.
Magnezi si suplement nuk është gjithmonë i rëndësishëm. Duhet parë niveli i përthithjes dhe gjendja e veshkave. Suplementi merret kur ke nevojë. Magnezi dhe llojet e tij përdoren për qëllime të ndryshme: për zemrën, tensionin, kujtesën dhe forcimin e memories, për uljen e stresit dhe ankthit, si dhe për personat që kanë probleme me stomakun dhe ulçerat.
Ku e marrim magnezin dhe në cilat ushqime gjendet?
Nuk duhet ta merrni si suplement nëse jeni të shëndetshëm. Magnezi gjendet te arrat, farat dhe drithërat integrale. Sasia e rekomanduar është 450 mg për burrat dhe 300–350 mg për gratë. Ai gjendet te një grusht fara kungulli ose fara chia, bajamet, sallata me spinaq, arrat braziliane, fasulet, fistikët, kikirikët, kakao, farat e lulediellit, farat e susamit, farat e kërpit, qiqrat, tërshëra, quinoa, orizi kaf, avokado, bananet, patatet, gjethet jeshile, ujërat mineralë dhe peshqit.
Nga ushqimi, magnezit i duhen 6–8 orë dhe ai qëndron më gjatë në gjak sesa kur e marrim nëpërmjet suplementit.
“Farat e susamit, lirit, lulediellit dhe kërpit, 100 gramë bajame dhe një lugë gjelle kakao të pastër mund t’i përdorni për të përgatitur një smoothie. Shtoni tërshërë dhe kos. Magnezi merret në sasi të lartë, pasi kjo përzierje përmban edhe minerale dhe vitamina”, rekomandoi Joka.
Mos e kërkoni magnezin në farmaci, por në pjatën tuaj. Ushqeni qelizën, jo vetëm trupin.
Kujdesuni për sasinë e magnezit që humbni dhe jo vetëm për atë që merrni. Mos e merrni magnezin për çdo ngërç, lodhje apo për netët pa gjumë, pasi jo çdo simptomë shkaktohet nga mungesa e tij.
Dozat e shumta sjellin probleme kardiake, dëmtojnë muskujt, shkaktojnë probleme me veshkat dhe vitaminën D, si dhe ndikojnë në nivelin e hekurit.


