Veliaj – Ballës: Kërkoj komision hetimor! / Gati të ballafaqohem me Gogun për kërcënimet me porosi të Ramës

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj përmes një shkrese zyrtare, i ka kërkuar kreut të grupit parlamentar të PS Taulant Balla ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar mbi ndërhyrjet dhe kërcënimet, që sipas Veliajt, ai i ka marrë nga ministri i drejtësisë Toni Gogu, me porosi të kryeministrit Edi Rama.
Po ashtu, Veliaj kërkon edhe hetim për transferimin e tij nga paraburgimi i Durrësit drejt atij të Fierit.
“Jam i gatshëm të dëshmoj nën betim përpara Kuvendit, sipas ligjit, të ballafaqohem me Ministrin e Drejtësisë, Toni Gogu, dhe të paraqes çdo provë që disponoj. Kam kërkuar gjithashtu që Kryeministri Edi Rama t’i nënshtrohet të njëjtit standard llogaridhënieje”, shprehet Veliaj në deklaratën e tij zyrtare, dërguar Taulant Ballës.
Deklaratë e kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj
Sot i jam drejtuar zyrtarisht Kryetarit të Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Balla, me kërkesën për inicimin e ngritjes së një komisioni hetimor parlamentar mbi ndërhyrjet dhe kërcënimet që kam deklaruar se janë ushtruar ndaj meje nga Kryeministri Edi Rama, nëpërmjet Ministrit të Drejtësisë.
Kam kërkuar të hetohet nëse transferimi im nga Durrësi në Fier dhe kushtet e paraburgimit janë përdorur si instrumente presioni për të më detyruar të pranoj organizimin e protestave në Tiranë dhe të jap dorëheqjen nga mandati që më kanë besuar qytetarët e kryeqytetit.
Jam i gatshëm të dëshmoj nën betim përpara Kuvendit, sipas ligjit, të ballafaqohem me Ministrin e Drejtësisë, Toni Gogu, dhe të paraqes çdo provë që disponoj. Kam kërkuar gjithashtu që Kryeministri Edi Rama t’i nënshtrohet të njëjtit standard llogaridhënieje.
Kërkesën ia kam drejtuar shumicës parlamentare të partisë sime, sepse kontrolli kushtetues mbi qeverinë nuk mund të kushtëzohet nga përkatësia politike e atyre që duhet të japin llogari.
Kam vënë në dijeni edhe Kongresin e Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës dhe trupin diplomatik të akredituar në Shqipëri, si dhe kam kërkuar ruajtjen e menjëhershme të provave dokumentare dhe audiovizive.
Nuk kërkoj që Kuvendi t’i marrë si të mirëqena deklarimet e mia. Kërkoj që t’i hetojë. Mandati i një kryetari bashkie buron nga vota e qytetarëve dhe vota e qytetarëve nuk mund të bëhet objekt shantazhi politik.
Erion Veliaj
Kryetar i Bashkisë Tiranë
11 nëntor 2026


