Policia vijon kontrollet në Tiranë pas shpërndarjes së protestuesve, disa persona shoqërohen në komisariate

Pas shpërndarjes së protestuesve, forcat operacionale të Policisë vijojnë patrullimet dhe kontrollet në disa zona të Tiranës, me qëllim identifikimin dhe shoqërimin e personave të dyshuar për përfshirje në incidentet e regjistruara gjatë protestës.
Sipas raportimeve, ende nuk është bërë e mundur identifikimi i vendndodhjes së grupeve të protestuesve, ndërsa efektivët vijojnë të qëndrojnë në terren.
Ndërkohë disa persona janë shoqëruar në komisariate pas incidenteve pranë Ministrisë së Arsimit, ku u hodhën molotovë dhe pati përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë.

Pas thirrjeve përmes megafonëve dhe përdorimit të autobotëve me ujë, policia arriti të shpërndajë turmën dhe të largojë protestuesit nga perimetri i sigurisë.
Ndërkohë, kontrollet dhe patrullimet e forcave të rendit vijojnë në disa zona të kryeqytetit.


