Aksidenti me pasojë vdekjen në Itali / 20-vjeçari shqiptar goditet nga një tjetër makinë teksa sinjalizonte rrugën (EMRI)

Një 20-vjeçar shqiptar ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti të rëndë të ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm në Itali.
Viktima është identifikuar si Thomas Qirjaj, me origjinë shqiptare. I riu do të festonte 21-vjetorin e lindjes në dhjetor.
Sipas mediave italiane, Thomas udhëtonte së bashku me katër shokë me një automjet tip “Volvo”, me targa zvicerane, në drejtim të Milanos.
Pasi kaluan pikën e pagesës, makina humbi kontrollin dhe u përplas me barrierën ndarëse të autostradës.
Pas përplasjes, 20-vjeçari ka zbritur nga automjeti për të vendosur trekëndëshin e emergjencës në rrugë, por në atë moment është përplasur nga një automjet tip SUV, që drejtohej nga një 25-vjeçar nga Modena.
Sipas rindërtimit paraprak, drejtuesi i mjetit nuk e ka vënë re të riun deri në momentin e fundit.
Në vendngjarje mbërritën menjëherë ambulancat dhe ekipet e shpëtimit. Për shkak të plagëve të rënda, i riu u transportua me urgjencë, në gjendje kritike, drejt spitalit.
Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve për t’i shpëtuar jetën, Thomas Qirjaj ndërroi jetë në spital.
Miqtë që udhëtonin me të nuk pësuan dëmtime të rënda.
Thomas ishte fëmijë i vetëm në familjen e tij, me origjinë shqiptare, e cila ishte vendosur prej vitesh në Caorso.


