“Qenke gangster ti, k*rvë mashkull…”- Gazetari u kërcënua pasi denoncoi vjedhjet e Ballukut, policia merr në pyetje vëllain e Igli Tares

Policia e Tiranës ka referuar në Prokurori materialet procedurale për Agron Taren, vëllain e Igli Tares, pasi ai ka kërcënuar gazetarin Almer Toska, pas disa denoncimeve që bëri në News24 në lidhje me vjedhjet e Belinda Ballukut.
Sipas kallëzimit të bërë nga Almer Toska, pas daljes nga studio, ku kishte folur për Igli Taren, vëllai i tij, Agron Tare e kishte kontaktuar në telefon.
Në kallëzimin e tij, gazetari pretendon se Agron Tare i kishte dërguar edhe mesazhe me përmbajtje fyese dhe i kishte kërkuar të takoheshin.
Në lidhje me rastin, policia ka shoqëruar Agron Taren, i cili sipas deklarimit e kishte kontaktuar gazetarin për t’i kërkuar sqarime lidhur me deklaratat e bëra prej tij në televizion.
Po çfarë përmbajnë mesazhet?
Sipas mesazheve që ka nxjerr vetë gazetari Almer Toska, ai është kontaktuar nga një numër, i cili i kërkon që të takohen. Në disa raste, duket që personi, që ai pretendon se është Agron Tare i është drejtuar me fjalët kërcënuese dhe fyese “je gangster ti, kurvë mashkull! Ku je se ta tregoj unë ty”.
Njoftimi i policisë:
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 referuan materialet procedurale në Prokurori, ku nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin Agron Tare 51 vjeç, banues në Tiranë.
Procedimi nisi pas kallëzimit të bërë nga shtetasi Almer Toska 37 vjeç, me profesion gazetar, i cili ka kallëzuar se, pas daljes nga një studio televizive, ku kishte bërë deklarata lidhur me shtetasin Igli Tare dhe vëllain e tij, shtetasin Agron Tare, ky i fundit e kishte kontaktuar në telefon dhe i kishte dërguar një mesazh, duke e ofenduar dhe duke i kërkuar të takoheshin.
Në lidhje me kallëzimin, është shoqëruar shtetasi Agron Tare, i cili ka deklaruar se e kishte kontaktuar kallëzuesin për t’i kërkuar sqarime lidhur me deklaratat e bëra prej tij.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Policia e Tiranës është e angazhuar maksimalisht për garantimin e sigurisë së gazetarëve dhe çdo qytetari, si dhe për trajtimin me paanshmëri dhe në përputhje me ligjin të çdo kallëzimi të adresuar nga gazetarët dhe qytetarët.

