Si u godit Sel Çami në bazën e tij? Autorët e mbajtën nën vëzhgim me dron, ishin të veshur si polic dhe qëlluan me silensiator

Aktualitet

Si u godit Sel Çami në bazën e tij? Autorët e mbajtën
Detaje të reja kanë dalë në dritë nga atentati mafioz që ndodhi mëngjesin e sotëm në lagjen 1 Maji në Fier, ku u qëllua për vdekje Selami Hasani, dhe mbeti i plagosur nipi i tij Jakup Hasani, i cili ndërroi jetë disa orë më vonë në spital. Burime nga grupi hetimor i thanë Shekullit, se autorët e atentatit, kanë përdorur dy pistoleta me silenciator, dhe kanë qëlluar 10 herë mbi viktimat. Njëri prej tyre ka pasur rolin e qitësit dhe tjetri të shoferit, ndërkohë që dyshohet të jenë ndihmuar dhe nga persona të tjerë për vëzhgimin e viktimave.

Sel Çami dhe nipi i tij Jakup Selami kanë qenë në oborrin e banesës së tyre duke punuar token, në momentin që janë qëlluar me armë, ndërkohë që të paktën 10 gëzhoja kalibër 9 mm janë gjetur në vendngjarje. 3 plumba ka marrë Jakup Selmani dhe të paktën 5 plumba Selami Hasani, i njohur dhe me nofkën Sel Çami.

Mësohet se autorët kanë qenë të maskuar dhe të kamufluar me uniforma policie me qëllim që të futeshin me lehtësi në lagjen “1 maji”, që konsiderohej si një zonë e sigurtë për viktimat, pasi jetonin aty prej shumë vitesh.

Hyrja në mënyrë të tillë në lagjen “1 maji” në Fier mund të ketë ardhur pasi është një ndër lagjet më të monitoruara nga grupet kriminale për shkak të përplasjeve mes grupeve rivale. Kudo në lagjen “1 maji” ka kamera sigurie dhe autorët kanë kryer çdo veprim pa lënë gjurmë dhe pa bërë zhurmë, prandaj kanë përdorur pistoleta me silenciator, të cilat u gjetën në automjetin e djegur “Volvo” të përdorur në krim.

Ndërkohë po hetohet edhe pista se autorët kanë mbajtur në survejim dhe monitorim Sel Çamin me dron. Grupi hetimor ka dyshime të forta se mund të jetë vëzhguar me dron nga autorët dhe kanë pritur momentin që ka dalë nga banesa në oborr, pasi Sel Çami ruhej dhe qëndronte vetëm në bazën e tij në lagjen 1 maji.

Ai kishte dalë nga burgu vetëm pak kohë më parë, ku kishte vuajtur një dënim me 25 vite burg për vrasjen e dyfishtë që ndodhi në vitin 2002 në Fier, ku i mori jetën Julian Isufajt, nipit të Ben Qimes. Hasmëria mes dy familjeve është e njohur në Fier, ndërsa deri tani numri i viktimave ka shkuar në 7.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion