Shqiptarët në Uells kapen me 900 rrënjë kan'abis, bimët ishin gati për t'u korrur

Dy shtetas shqiptarë, Aleksandër Çela, 26 vjeç, dhe Denis Horeshka, 30 vjeç, janë dënuar me nga 32 muaj burg në Britaninë e Madhe, pasi u zbuluan në një fabrikë kanabisi në qendër të qytetit të Swansea-s.
Gjatë një operacioni policor në një ndërtesë në zonën Strand, autoritetet zbuluan mbi 900 bimë kanabisi, që ishte gati për korrje.Sipas njoftimit të policisë, dy burrat u arrestuan më 8 maj, gjatë një kontrolli të ushtruar me urdhër-arresti në një ndërtesë në Strand.
Gjatë bastisjes, efektivët zbuluan një aktivitet të konsiderueshëm të kultivimit të kanabisit, ku u sekuestruan më shumë se 900 bimë, së bashku me pajisjet e përdorura për këtë aktivitet.
Çela dhe Horeshka u deklaruan fajtorë për veprën penale të prodhimit të drogës së Klasit B dhe u dënuan me nga 32 muaj burg secili.
Rreshteri Craig Evans, duke komentuar operacionin, deklaroi se përfshirja në tregtinë e paligjshme të drogës sjell pasoja të rënda dhe se aktivitetet e tilla lidhen shpesh edhe me forma të tjera të kriminalitetit.
Ai theksoi gjithashtu se ndërtesa ku kultivohej kanabisi paraqiste rrezik për sigurinë, aq sa efektivët e policisë dhe Ekipi i Mbështetjes Territoriale duhej të siguronin fillimisht ambientet përpara se të hynin për të larguar bimët dhe pajisjet.
“Krimi i drogës vjen me pasoja. Këtu, këto pasoja përfshijnë dërgimin në burg”, u shpreh rreshteri Evans.
Të dy shqiptarët do të vuajnë dënimin prej 32 muajsh burgim për përfshirjen në kultivimin e paligjshëm të kanabisit në Swansea.


