Shqipëria importoi rreth 7,3 milionë litra vaj palme, AKU nuk sqaron destinacionin

Rreth 7.3 milionë litra vaj palme kanë hyrë në Shqipëri gjatë periudhës 2025–2026, por mbetet e panjohur se cilat kompani, fabrika apo biznese e përdorin këtë sasi dhe në çfarë produktesh përfundon.
Pavarësisht kërkesës zyrtare të drejtuar më 4 nëntor 2026, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit nuk ka dhënë të dhëna mbi destinacionin e vajit të importuar, as për përdorimin e tij në industrinë ushqimore dhe atë të përpunimit të produkteve të bulmetit.
Ekspertja e sigurisë ushqimore, Onejda Kyçyku, ngre shqetësime për përdorimin e këtij produkti, i cili përveç industrisë ushqimore mund të përfundojë edhe në restorante, fast-food-e, pastiçeri dhe biznese të vogla. Sipas saj, vaji i palmës mund të përdoret për skuqjen e mishit dhe perimeve, si dhe në përgatitjen e ëmbëlsirave dhe akulloreve.
Shqetësimi kryesor lidhet me përdorimin e përsëritur të vajit në temperatura të larta. Kur ai nxehet në 150–200 gradë Celsius dhe ripërdoret disa herë, pëson degradim dhe mund të krijojë përbërje të dëmshme për shëndetin.
Përdorimi i vajit të palmës nuk kufizohet vetëm te produktet e skuqura. Sipas ekspertes, ai mund të gjendet edhe në produkte të bulmetit, si djathi, gjalpi, gjiza, salca e kosit dhe kremrat, si dhe në margarinë, ku përdoret si zëvendësues i gjalpit.
Kjo praktikë ngre pikëpyetje edhe për transparencën ndaj konsumatorëve, pasi ndryshimi i përbërjes së produkteve mund të ndikojë në vlerat ushqyese, ndërsa blerësit mund të mos jenë gjithmonë të vetëdijshëm për përbërësit që konsumojnë.
Ndërkohë, edhe pse destinacioni i 7.3 milionë litrave vaj palme mbetet i padeklaruar nga AKU, legjislacioni në fuqi kërkon që përbërësit e produkteve ushqimore të pasqyrohen në etiketë, duke garantuar informimin e konsumatorit për atë që përmban ushqimi që blen.


