Shpërthimi me tritol në banesën e një gruaje në Tiranë, në kërkim një 60-vjeçar, procedohen 3 të tjerë

Policia e Tiranës ka zbardhur shpërthimin e lëndës së dyshuar plasëse në derën e jashtme të banesës së një 47-vjeçareje, ngjarje e ndodhur më 14 nëntor 2026, në rrugën “Sadik Petrela”.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Gjurmimi”, është identifikuar dhe shpallur në kërkim një 60-vjeçar me inicialet A. Z., banues në Elbasan, i dyshuar si autor i vendosjes së lëndës plasëse.
Ndërkohë, policia ka nisur procedimin penal në gjendje të lirë për tri shtetase, të moshave 21, 18 dhe 17 vjeç, të cilat janë komshinje me të dyshuarin. Sipas hetimeve, ato dyshohet se kanë qenë në automjetin me të gjatë momentit të ngjarjes dhe nuk kanë kallëzuar krimin.
Gjatë veprimeve hetimore janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale automjeti që dyshohet se është përdorur ditën e shpërthimit, si dhe katër aparate celularë.
Operacioni u finalizua nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, pas veprimeve hetimore dhe administrimit të provave që çuan në dokumentimin e ngjarjes dhe identifikimin e të dyshuarit.
Policia vijon punën për lokalizimin dhe arrestimin e 60-vjeçarit, si dhe për dokumentimin e plotë ligjor të rastit.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.
