INSTAT / Inflacioni në shtator ishte 2.9%, shtrenjtohen ushqimet! Çmimet e karburantit u rritën me 12.4%

Soft

INSTAT / Inflacioni në shtator ishte 2.9%, shtrenjtohen ushqimet!

Kostot e jetesës vijojnë të rriten, ndërsa shtrenjtimi po udhëhiqet thuajse nga të gjitha kategoritë e mallrave, por kryesojnë ushqimet. Raporti i INSTAT tregon se në shtator indeksi i Çmimeve të Konsumit ishte 2,9%, nga 3.2% që rezultoi inflacioni në gusht.

Në këtë nivel kontributin më të madh e dhanë grupi i ushqimeve dhe pijeve joalkoolike me 0.96%, ndjekur nga transporti me 0.81% dhe më pas qiratë me 0.54%. Ndërsa rënie të lehtë regjistruan çmimet për veshjet e këpucët si dhe informacioni e komunikacioni.

Ndërsa krahasuar me shtatorin e vitit të kaluar rritja më e madhe e çmimeve është regjistruar tek transporti me 12.4%, kjo për shkak se në muajin e kaluar çmimi i naftës arriti 229 lekë për litër dhe benzina 219 lekë, gjë që detyroi qeverinë të rikthejë Bordin e Transparencës për shkak të çmimit të lartë të naftës dhe benzinës. Gjatë muajit të kaluar.

Pas transportit rritje me 5.9% është regjistruar tek argëtimi e kultura, ndërsa ushqimet dhe pije joalkoolike u rritën me  mesatarisht 2,8 %, krahasuar me vjet. Brenda grupit të ushqimeve, shtrenjtimi më i madh u regjistrua tek produktet e peshkut me 9.6%, ndjekur më tej nga perimet dhe zarzavatet me 7.9% apo mishi me rritje 4.4%.

Inflacioni edhe pse aktualisht është nën kontroll brenda objektivit të Bankës së Shqipërisë prej 3%, pritet të ketë një hov tjetër në muajit në vijim. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë deklaroi më 7 tetor se çmimet pritet të shtrenjtohen edhe më shumë në gjashtë muajit në vijim, teksa paralajmëron edhe ndërhyrje në politikën monetare për të rritur normën bazë të interesit.

Sipas bankës së Shqipërisë në muajit e fundit presioni më i madh në inflacion ka ardhur nga produktet e importit, dhe se çmimet e larta të tyre nuk ka arritur ti amortizojë plotësisht as zhvlerësimi i valutave.

ME TE LEXUARAT