Ndalohen grumbullimet me më shumë se tre persona në Lièzh të Belgjikës pas protestave të studentëve

Autoritetet e qytetit të Lièzhit, në Belgjikë, kanë vendosur nga sot, e enjte, ndalimin e grumbullimeve me më shumë se tre persona në rrugët dhe hapësirat publike në të gjithë qytetin, pas përleshjeve të dhunshme dhe akteve të vandalizmit të shënuara ditët e fundit në kuadër të protestave të nxënësve dhe studentëve.
“Përveç rasteve të caktuara ose me leje të posaçme, ndalohen grumbullimet e më shumë se tre personave në rrugët ose hapësirat publike brenda territorit të qytetit”, thuhet në urdhrin e policisë të nxjerrë nga Bashkia e Lièzhit. Sipas kryebashkiakut socialist Willy Demeyer, “siguria e të gjithë banorëve të qytetit është në rrezik”. Ndalimi hyri në fuqi sot dhe parashikohet të zgjasë deri më 17 tetor.
Të mërkurën, rreth 50 persona u arrestuan në Lièzh për prishje të rendit publik, duke e çuar në 194 numrin total të arrestimeve në qytet që prej 1 tetorit.
Sipas të dhënave të fundit të policisë, të publikuara nga gazeta frankofone “Le Soir”, 158 prej arrestimeve ishin administrative dhe 36 gjyqësore, ndërsa 114 prej tyre kishin të bënin me të mitur. Prania policore mbetet edhe sot veçanërisht e madhe në të gjithë qytetin, me pjesëmarrjen e forcave federale dhe efektivëve të policisë nga zona të tjera.
Pavarësisht ndalimit, sot në mëngjes u zhvillua një marshim paqësor i nxënësve dhe studentëve, i cili kishte marrë më herët miratimin përkatës nga autoritetet.
Organizatorët pretenduan se në protestë morën pjesë më shumë se 3 mijë persona, ndërsa sipas policisë numri i pjesëmarrësve nuk i kaloi 400.
Nxënësit dhe studentët protestojnë, ndër të tjera, kundër rritjes së kostos së studimeve, tarifave të shkollimit dhe abonimeve në transportin publik të TEC. “Jemi në rrugë për të kërkuar arsim falas, për të protestuar kundër rritjes së tarifave të shkollimit dhe abonimit në TEC”, deklaroi Tom Zenezan, sekretar i Federatës së Rinisë Socialiste të Lièzhit dhe një prej organizatorëve të marshimit.
Në Lièzh mbërriti sot në mëngjes edhe ministri i Brendshëm i Belgjikës, Bernard Quintin, i cili mori pjesë në një takim informues me forcat e policisë, në prani të kryebashkiakut Willy Demeyer. Ministri belg e cilësoi situatën “të papranueshme”, duke theksuar se “kemi të drejtë të mos jemi dakord, por në asnjë rast nuk kemi të drejtë t’i shkatërrojmë të gjitha dhe të sulmojmë njerëzit”.
“Rendi dhe qetësia do të rikthehen”, deklaroi ai, duke shtuar se do të mobilizohen “të gjitha mjetet e nevojshme”. Bernard Quintin iu referua gjithashtu përgjegjësisë së prindërve dhe shkollave, si dhe rolit të lëvizjes antifashiste Antifa.
Nën frikën e incidenteve të reja, të premten do të zhvillohet në Bruksel një protestë e madhe e sindikatave, studentëve dhe nxënësve, në kuadër të mobilizimit kombëtar sindikal, me greva në sektorë të ndryshëm.


