Qytetari me maskën e Ramës në protestë: Do t’i mbrojmë studentët deri në vde'kje

Një protestues i është përgjigjur aktit normativ të qeverisë me një maskë me foton e kryeministrit Edi Rama. Në një deklaratë për mediat, ai u identifikua si babai i dy studentëve dhe kërkoi largimin e menjëhershëm të kryeministrit, pasi sipas tij populli nuk e do dhe nuk e mbështet më.
“Ne i mbrojmë studentët. Unë jam babai i dy studentëve dhe deri në vdekje do t’i mbrojmë studentët. Edi Rama as më shpejt të japë dorëheqjen. Ai duhet ta kuptojë që popull nuk e do më. Sovrani është pronari i këtij vendi. Qeveria është menaxher i përkohshëm. Koha jote ka mbaruar”.
Sipas tij është emergjencë kombëtare largimi i të rinjve jashtë vendit, pasi këtu nuk ka të ardhme dhe as shpresë.
“Në arsim ka shumë pika që duhen bërë shumë mirë, por mbi të gjitha rinia nuk duhet të emigrojë. Kjo është emergjencë kombëtare. Këtu nuk ka të ardhme nuk ka shpresë”.
I pyetur për dhunën në protestë ai tha se e ka provuar vetë në ditën ë parë të protestë ku i është krisur kafka.
“Më kanë dhunuar në maksimum, por e kam provuar çfarë do të thotë dhunë. Është e pafalshëm dhuna ndaj fëmijëve tanë. Më kanë dhunuar ditën e parë në protestë. Më kanë krisur kafkën. Kam shumë pasoja, por ne të rriturit i durojmë por jo fëmijët”.
Ndërkohë protestues të tjerë kanë ironizuar duke protestuar në mënyrë simbolike me kartëmonedha 500-euroshe në duar.


