KLSH kritika për Bashkinë e Tiranës: Realizoi vetëm 48% të investimeve të programuara në vitin 2025

Bashkia e Tiranës nuk realizoi rreth 13.8 miliardë lekë investime të planifikuara gjatë vitit 2025, duke shpenzuar më pak se gjysmën e fondeve të parashikuara në buxhetin e ndryshuar. Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, realizimi i shpenzimeve kapitale arriti vetëm 48%, ndërsa në tri vitet e fundit ky tregues ka mbetur vazhdimisht në nivele të ulëta, pavarësisht rritjes së fondeve të planifikuara.
Të dhënat e përfshira në raportin e auditimit të performancës për qarkullimin rrugor në Tiranë tregojnë se në vitin 2025 Bashkia kishte planifikuar fillimisht 14.88 miliardë lekë për investime, por gjatë vitit buxheti u rrit në 26.73 miliardë lekë, ose rreth 80% më shumë. Në fund të vitit, shpenzimet faktike arritën vetëm 12.88 miliardë lekë, duke lënë të parealizuara 13.85 miliardë lekë kundrejt planit të ndryshuar.
Problemi është përsëritur edhe në vitet e mëparshme. Në vitin 2023, Bashkia realizoi 10.34 miliardë lekë investime nga 21.58 miliardë të planifikuara, ose 48%. Situata u përkeqësua në vitin 2024, kur realizimi zbriti në 41%, me 9.03 miliardë lekë të shpenzuara nga 22.01 miliardë lekë të planifikuara.
Megjithëse investimet faktike u rritën në vitin 2025 krahasuar me vitin paraardhës, ato vijuan të mbeten shumë poshtë objektivave buxhetore. Në total, gjatë periudhës 2023–2025, Bashkia realizoi rreth 32.25 miliardë lekë shpenzime kapitale, nga 70.32 miliardë lekë të planifikuara në buxhetet përfundimtare të tre viteve. Kjo përfaqëson një realizim prej rreth 45.9%.
Ndërkohë, shpenzimet e përgjithshme të Bashkisë kanë ardhur në rritje. Në vitin 2025 u shpenzuan 38.4 miliardë lekë, nga 32.19 miliardë në vitin 2024 dhe 31.24 miliardë lekë në vitin 2023. Megjithatë, realizimi i buxhetit total mbeti në 66% të planit të ndryshuar për vitin 2025.
Shpenzimet për personelin dhe funksionimin, më pranë planit
Kontrasti është më i dukshëm kur investimet krahasohen me shpenzimet e përditshme të administratës. Në vitin 2025, shpenzimet për personelin arritën në 9.41 miliardë lekë, ose 82% të planit të ndryshuar, ndërsa shpenzimet operative në 16.11 miliardë lekë, me realizim 80%.
Edhe gjatë dy viteve të mëparshme, realizimi i këtyre kategorive ka qenë dukshëm më i lartë se ai i investimeve. Sipas KLSH-së, shpenzimet për personelin dhe funksionimin e Bashkisë janë realizuar në nivelet 77–88% të planit, ndërsa shpenzimet kapitale kanë mbetur në intervalin 41–48%.
Të dhënat tregojnë se, ndërsa Bashkia ka rritur shpenzimet për funksionimin e saj dhe ka zgjeruar fondet e parashikuara për investime, realizimi i projekteve kapitale nuk ka ndjekur të njëjtin ritëm.

