Publikohet fotoja, kush është personi që do vr'itej në Lezhë, 37-vjeçari do hakmerrej për të vëllain

Të tjera detaje janë zbardhur në lidhje me ngjarjen kriminale që u parandalua sot në Lezhë, ku u arrestua Emanuel Gehard, alias Basha, alias Lika. Ky i fundit dyshohet se ishte nisur për t’u hakmarrë për vrasjen e vëllait të tij, Ilir Likës, ngjarja e ndodhur në muajin korrik të këtij viti.
37-vjeçari mësohet se po lëvizte me një mjet të blinduar me targa gjermane, teksa ishte i armatosur. Por si ndodhi vrasja e Ilir Likës?
Ngjarja e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e 9 korrikut, në qytetin e Laçit, ku mbeti i vrarë 40-vjeçari Ilir Gjini. Autori dyshohet se është Emiljan Suti. Pikërisht, edhe ditën e sotme, Emanuel Lika dyshohet se ishte nisur ta vriste këtë të fundit për hakmarrje.
Ilir Lika, i cili njihej gjithashtu me 3 mbiemra të tjerë, Kokaj, Gjini e Nure, është qëlluar me shtatë plumba pranë banesës së tij. Shkak i vrasjes dyshohet se ishte një konflikt i mëparshëm mes tyre, pasi ata ishin fqinj dhe jetonin në të njëjtën lagje.
Sa i përket Emiljan Sutit, ai rezulton person me precedentë kriminal dhe i dënuar me 5 vite burg për “kanosje për shkak të detyrës”, e po ashtu për armëmbajtje pa leje.
Njoftimi i policisë për ngjarjen e sotme:
“Inteligjenca kriminale parandalon një tjetër vrasje, dyshohet për hakmarrje për vrasjen e shtetasit I. Gj., 40 vjeç, kryer më datë 9 korrik, në Kurbin. Finalizohet operacioni i koduar ‘Argos’. Lëvizte i armatosur dhe me automjet të blinduar, me targa gjermane, arrestohet në Fushë Milot, vëllai i 40-vjeçarit. I arrestuari, shtetas me precedent kriminal. Sekuestrohen 1 armë zjarri automatike tip ‘Skorpion’ municion luftarak dhe automjeti tip ‘Mercedes-Benz ML’.
Si rezultat i monitorimit permanent të situatës në qark, nëpërmjet punës intensive operative dhe kontrolleve, si dhe si rezultat i analizimit dhe ndjekjes në dinamikë të ngjarjeve kriminale të ndodhura më parë, me qëllim parandalimin e ngjarjeve të lidhura me to dhe parandalimin e krimeve në përgjithësi, specialisët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit Operacional të Hetimit dhe me shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, finalizuan operacionin e koduar ‘Argos’.
Në kuadër të operacionit u parandalua një vrasje, dyshohet për hakmarrje në lidhje me vrasjen e shtetasit I. Gj. alias I. L. alias I. K. alias I. N., 40 vjeç, kryer më datë 09.07.2026, në Kurbin. Po në kuadër të operacionit u arrestua shtetasi E.(G.) B.(L.), 37 vjeç, banues në Kurbin, me precedent për përfshirje në ngjarje kriminale të mëparshme (vëllai i 40-vjeçarit)
Automjeti tip ‘Mercedes-Benz ML’, i blinduar dhe me targa gjermane, që drejtonte 37-vjeçari, u ndalua në Fushë Milot. Gjatë kontrollit fizik, 37-vjeçarit iu gjet 1 armë zjarri automatike tip ‘Skorpion’ me një krehër me 16 fishekë. Vijojnë intensivisht hetimet dhe puna policore, për kapjen e autorit të vrasjes së 40-vjeçarit, si dhe për dokumentimin e rrethanave të saj. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.”


