Meloni sulmon Zelenskyn: Ju shkelët sovranitetin e Libisë, rrezikuat sigurinë në Mesdhe

Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, ku ka shprehur shqetësimin e Romës për sulmet e forcave ukrainase ndaj dy anijeve ruse në portin e Bengazit, në Libi.
Sipas një njoftimi të qeverisë italiane, Meloni i ka bërë të ditur Zelenskyt se operacioni ushtarak ka cenuar sovranitetin e Libisë dhe rrezikon të zgjerojë konfliktin në Mesdhe.
Kryeministrja italiane ka riafirmuar mbështetjen e vendit të saj për Ukrainën, por ka theksuar se kjo mbështetje nuk nënkupton pranimin e veprimeve që mund të rrezikojnë sigurinë e Italisë dhe të rajonit.
Nga ana e tij, Zelensky ka pranuar se operacioni është kryer pa koordinim paraprak me partnerët. Sipas Romës, presidenti ukrainas ka shprehur mirëkuptim për shqetësimet italiane dhe është zotuar të ruajë komunikimin e drejtpërdrejtë dhe të ndajë informacionet përkatëse.
Reagimi i Melonit vjen pas kritikave të ministrit të Jashtëm italian, Antonio Tajani, i cili e cilësoi gabim cenimin e sovranitetit libian, duke deklaruar se Italia nuk ishte informuar paraprakisht për operacionin ukrainas.
Edhe Gjermania ka shprehur shqetësimin për zhvillimet. Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, riafirmoi mbështetjen për të drejtën e Ukrainës për vetëmbrojtje, por paralajmëroi kundër zgjerimit gjeografik të luftës.
Ndërkohë, edhe Turqia ka reaguar ndaj sulmeve, duke kërkuar respektimin e së drejtës ndërkombëtare dhe duke paralajmëruar për rrezikun ndaj transportit tregtar detar.
Sulmet ndaj dy anijeve ruse në ujërat e Libisë kanë shkaktuar reagime diplomatike, mes shqetësimeve se lufta mes Rusisë dhe Ukrainës mund të përhapet edhe në rajone të tjera.


