Lajm i mirë për shoferët në Francë, "Deri në janar 2027..." çfarë pritet të ndodhë me çmimin e naftës

Franca renditet ndër vendet me naftën më të shtrenjtë në BE, ndërsa afrimi i dimrit shton shqetësimet dhe për familjet që përdorin naftë për ngrohje.
Përballë kësaj situate, kryeministri Sébastien Lecornu ka njoftuar ulje prej 12 deri në 18 centësh për litër naftë, që pritet t’u kursejë drejtuesve të automjeteve rreth 10 euro për çdo mbushje të serbatorit.
Masa do të nisë më 1 nëntor dhe do të zgjasë deri në fund të janarit 2027. Ajo do të bëhet e mundur përmes nxjerrjes në treg të 10 milionë fuçive naftë nga rezervat e Francës. Sipas kryeministrit, ndërhyrja do lehtësojë barrën e kostove të larta për qytetarët.
Por ulja nuk do të kufizohet vetëm te automjetet private. Qeveria ka parashikuar të reflektohet dhe te karburanti i përdorur nga sektorët e prodhimit dhe shërbimeve, ku kostot e transportit dhe të punës varen drejtpërdrejt nga çmimi i naftës. Në këtë kategori përfshihen transportuesit, fermerët, peshkatarët dhe punonjësit e ndërtimit, si dhe familjet që përdorin naftë për ngrohjen e banesave.
Sipas të dhënave të 5 tetorit, nafta në Francë kushtonte mesatarisht 2 euro e 35,5 centë për litër, kundrejt 2 eurove e 14,9 cent në mesataren e Bashkimit Evropian. Çmime më të larta regjistroheshin vetëm në Finlandë, Holandë dhe Danimarkë.
Ndërkohë, një ditë pune me pagë mesatare në Francë mundëson blerjen e 52,8 litrave naftë, ndërsa në Gjermani kjo sasi arrin në 62,3 litra.
Presioni i çmimeve ndihet dhe te ngrohja e banesave. Në Francë, 1.000 litra naftë për ngrohje kushtonin rreth 1.907 euro, mbi mesataren e Bashkimit Evropian. Në Gjermani çmimi ishte rreth 1.726 euro, ndërsa në Belgjikë dhe Spanjë ishte edhe më i ulët.
Përmes kësaj ndërhyrjeje, qeveria franceze synon të zbusë përkohësisht ndikimin e çmimeve të larta si te qytetarët, ashtu edhe te profesionet që varen nga karburantet. Efekti i masës do të varet nga mënyra si ulja do reflektohet në pikat e shitjes gjatë tre muajve të zbatimit.


