“Po imitonte GTA 6”: 15-vjeçari në Torino arretiset me makinë të vjedhur, përplasi edhe karabinierët

Një 15-vjeçar në Torino ka shkaktuar një ndjekje të rrezikshme policore, duke tentuar t'u shpëtojë forcave të rendit me një automjet të vjedhur. Ngjarja e ndodhur në Itali, që ngjan me skenarët e videolojës së famshme GTA 6, përfundoi me përplasjen e një makine të karabinierëve me një pemë dhe arrestimin e adoleshentit.
I mituri drejtonte një automjet të bardhë të marrë nga një kompani e shërbimit të makinave me qira për përdorim të përbashkët. Ai u pikas nga një patrullë teksa lëvizte me shpejtësi të lartë në rrugët e qytetit, duke kaluar disa semaforë me të kuqe. Fillimisht, 15-vjeçari arriti t'u shpëtonte karabinierëve falë manovrave të rrezikshme.
Megjithatë, nga qendra operative u shpërnda njoftimi për kërkimin e automjetit dhe në ndjekje u përfshinë edhe patrullat e policisë. Rreth orës 03:00 të mëngjesit, dy forcat nisën një ndjekje të përbashkët që zgjati disa kilometra. Makina kaloi jashtë territorit të Torinos, përmes komunave Mappano dhe Leinì, duke përshkuar rrugë të drejta dhe zona rurale, përpara se të rikthehej në qytet, në lagjen Falchera.
Pikërisht aty, në përpjekje për t'i shpëtuar kontrollit, adoleshenti përplasi qëllimisht automjetin e karabinierëve, duke e nxjerrë atë nga rruga dhe duke e përplasur me një pemë.
Pas kësaj, tre të rinjtë tentuan të largoheshin në këmbë. Drejtuesi i patrullës arriti të ndalonte 15-vjeçarin, ndërsa policia lokalizoi edhe dy të miturit e tjerë që ndodheshin në makinë.
Adoleshenti u arrestua për rezistencë ndaj një punonjësi të policisë dhe ndaj tij u konstatuan edhe disa shkelje të Kodit Rrugor. Gjykata konfirmoi masën e vendosjes së tij në një komunitet, ndërsa dy të miturit e tjerë iu dorëzuan familjeve. Ngjarja në Torino nuk është rasti i parë kur të rinj tentojnë të imitojnë skena të videolojërave në jetën reale.
Vetëm pak ditë më parë, në Rovigo të Italisë dy të mitur vodhën një autobus dhe përfunduan me të në një kanal. Njëri prej tyre u justifikua para hetuesve duke thënë se kishte mësuar të drejtonte automjetet përmes simulatorëve dhe se ishte nisur për në shtëpi pasi nuk kishte më autobusë në dispozicion.


