Ish-ministri Arben Ahmetaj thirret në SPAK

Ish-ministri Arben Ahmetaj paraqitet në SPAK në kuadër të hetimeve që po bëhen ndaj tij për shpërdorim detyre.
Ahmetaj dyshohet për veprën penale të shpërdorimit të detyrës, korrupsionit, fshehje të pasurisë si dhe ka dyshime për pastrim parash.
Kjo është hera e parë që ish-zv.kryeministri paraqitet në SPAK për këto hetime.
Hetimi ndaj tij është nisur si pasojë e bashkimit të dy procedimeve penale, një nga të cilët është procedim i ndarë nga hetimi i SPAK për çështjen e inceneratorit të Elbasanit. Dosja me 21 persona të akuzuar ka shkuar tashmë për gjykim. Por më parë është veçuar një fraksion i saj, ku bëhet fjalë pikërisht për procedurën e ndjekur nga Ahmetaj për dërgimin për miratim në Këshillin e Ministrave të projektit të ndërtimit të inceneratorit dhe dakordësinë e Ministrisë së Financave për ta ndërtuar përmes negocimit pa shpallje.
Kujtojmë se në fillim të muajit, nisi verifikimi pasuror ndaj Ahmetajt. Byroja Kombëtare e Hetimit kreu kontrolle më 9 Mars në shtëpitë e ish-gruas Albina Mancka dhe bashkëjtueses aktuale Erjola Hoxha. Kontrollet u zhvilluan pas urdhrit të dhënë nga Gjykata e Posaçme.
Sipas procesverbalit u sekuestruan projektet e ndërtimit të 3 vilave, 1 apartamenti dhe 1 shtëpie ekzistuese në Tiranë në zonën e bllokut. Pjesë e dosjes janë bërë edhe projektet e arredimit të tyre.


