Sërish një grua në krye të SHISH-it, Begaj dekreton drejtuesen e re pas Vlora Hysenit

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka dekretuar Esmeralda Hasanin në detyrën e Drejtoreshës së Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH), duke i besuar drejtimin e institucionit të inteligjencës shqiptare në një moment të rëndësishëm për këtë strukturë.
Dekreti mban numrin 595 dhe është firmosur më 12 nëntor 2026, me propozim të Kryeministrit Edi Rama. Sipas dokumentit zyrtar, emërimi hyn në fuqi menjëherë, duke bërë që Hasani të marrë zyrtarisht drejtimin e institucionit.
Emërimi i saj vjen pas zhvillimeve të fundit në lidhje me drejtuesen e deritanishme të SHISH-it, Vlora Hyseni, e cila është marrë nën hetim nga Prokuroria e Posaçme (SPAK). Këto zhvillime kanë vendosur institucionin në qendër të vëmendjes publike dhe kanë rikthyer diskutimet mbi drejtimin dhe funksionimin e strukturave të sigurisë dhe inteligjencës në vend.
Me dekretimin e Esmeralda Hasanit, procesi i ndryshimit në drejtimin e SHISH-it merr formë zyrtare. Ajo do të ketë përgjegjësinë për drejtimin e institucionit dhe koordinimin e veprimtarisë së tij në përmbushje të misionit ligjor, që lidhet me mbledhjen dhe analizimin e informacionit për sigurinë kombëtare.
Shërbimi Informativ i Shtetit ka një rol të rëndësishëm në identifikimin dhe analizimin e kërcënimeve që lidhen me sigurinë e vendit, si dhe në informimin e institucioneve përgjegjëse për çështjet që prekin interesat kombëtare.
Emërimi i ri pritet të shënojë një fazë të re në drejtimin e këtij institucioni, ndërsa mbetet për t'u parë se cilat do të jenë prioritetet e Hasanit në krye të SHISH-it dhe nëse do të ketë ndryshime në organizimin apo mënyrën e funksionimit të strukturës.
Me hyrjen në fuqi të dekretit, Esmeralda Hasani merr zyrtarisht detyrën e Drejtoreshës së Shërbimit Informativ të Shtetit.
Njoftimi:
Njoftim për media
Tiranë, më 12 nëntor 2026
Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, në mbështetje të neneve 92, shkronja “f” dhe 93 të Kushtetutës, si dhe të nenit 5, të ligjit nr. 8391, datë 28.10.1998, “Për Shërbimin Informativ të Shtetit”, i ndryshuar””, me propozim të Kryeministrit, me dekret nr. 595, datë 12.11.2026, dekretoi sot emërimin e zonjës Esmeralda Hasani në detyrën e Drejtorit të Shërbimit Informativ të Shtetit.
Përpara dekretimit, janë kryer të gjitha procedurat ligjore të verifikimit si të parashikuara në ligj për rastet e emërimit në detyrë të zyrtarëve në poste të larta.


