Kush është Esmeralda Hasani, emri i ri që merr drejtimin e një prej institucioneve më të rëndësishme të sigurisë?

Bajram Begaj ka firmosur zyrtarisht dekretin që emëron Esmeralda Hasanin në krye të Shërbimit Informativ të Shtetit. Sipas njoftimit të Presidencës, emri i saj për këtë pozicion është propozuar nga vetë kryeministri Edi Rama.
Për sa i përket arsimimit të saj, bëhet me dije se Hasani është diplomuar në të Drejtën Ndërkombëtare në Universitetin Shtetëror të Milanos si dhe ka përfunduar studimet Master në Planifikimin dhe Zhvillimin e Projekteve në Innovation Business School, në Bruksel.
Ajo e ka përqëndruar karrierën e saj në mësimdhënie për fushën e së Drejtës Evropiane. Nga shtatori 2015 deri në shtator 2019, ajo ka mbajtur postin e Drejtoreshës Ekzekutive të Institutit Barleti për Kërkim dhe Zhvillim.
Ndërsa, nga shtatori 2017 deri në dhjetor 2018, ajo ka qenë pjesë e kabinetit të Ministrit të Shtetit për Diasporën, në cilësinë e këshilltares dhe shefes së kabinetit, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në procesin e krijimit dhe konsolidimit të institucioneve të reja për diasporën.
Drejtoresha e re e SHISH, si një eksperte e pavarur e Komisionit Evropian në fushën e kërkimit dhe inovacionit, është angazhuar aktivisht në projekte kërkimore, arsimore dhe inovative në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, në bashkëpunim me kompani, universitete dhe qendra kërkimore lider në mbarë botën.
Ka dhënë edhe kontrubute të tjera si, autore e projektit “Angazhimi i Diasporës Shqiptare në Zhvillimin Social dhe Ekonomik të Shqipërisë”.
Që nga shtatori 2019, ajo drejton Institutin Adriapol – Rritje e Mençur dhe Kreative (Smart and Creative Growth). Hasani është përzgjedhur së fundmi nga Misioni i Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) në Shqipëri si Konsulente Ndërkombëtare për Zhvillimin e Projekteve.
Ky emërim i Esmeralda Hasanit në krye të SHISH shënon një kapitull të ri në karrierën e saj , këtë herë në drejtimin e institucionit përgjegjës për informacionin dhe sigurinë kombëtare.


