Kujdeset për babanë, gatuan për të dhe më pas del në protestë! Flamurtari Agron Jemini: Nuk ndalem, jam gjobitur 15 herë

Agron Jemini është flamurtari i protestës, i cili ka marrë pjesë që në ditën e parë të lëvizjes Flamingo.
“Flamurin s’do ta lëshoj kurrë.”
Gjysmën e vitit e ka kaluar çdo pasdite në bulevard, duke valëvitur flamurin shqiptar gjatë protestave për rrëzimin e sistemit aktual politik. Por tashmë është përballur me dhjetëra gjoba, të cilat thotë se refuzon t’i paguajë.
“Jam gjobitur mbi 15 herë, jo se më bezdis gjoba, se do t’i ankimojmë. Por më bezdis fakti se unë që jam flamurtari dhe ai xhaxhi, ne nuk bllokojmë, s’bëjmë akte vandale. Unë mbrëmë ndenja në trotuar dhe gjobën e mora si bllokim rruge”, tha ai.
Agroni tregon se arsyet pse proteston janë kushtet e vështira, pensioni i të atit dhe flamuri. Por as shoqërimi në komisariat dy herë nuk e ka stepur nga dalja në protestë. Tashmë, pas përfundimit të punës, u bashkohet edhe studentëve.
Agron Jemini: Gjatë ditës punoj dhe i shoh më shumë në Instagram që janë në filan vendi dhe i mbështes me flamurin.
– Çfarë pune bën?
Agron Jemini: Unë ngarkim-shkarkim uji, por e kam si objektiv që duhet të shkoj në shtëpi të shoh babin, t’i bëj gjellën dhe pastaj të vij këtu, sepse oraret e policisë mund të ndalohesh dhe ngel babai pa bukë. E kam merak shumë.


