Po transportonin 25 kg kokainë, dy shqiptarët rrezikojnë mbi 20 vite burg në Zvicër!

Dy shtetas shqiptarë rrezikojnë të dënohen me 27 vite burg në Zvicër, pasi u kapën duke transportuar kokainë.
Dhe sipas mediave të huaja, në prill të vitit 2025, shqiptarëve iu gjet plot 25 kg kokainë në makinë, me të cilën po lëviznin nga Itali drejt Luganos, në Zvicër.
Pas mbylljes së hetimeve, Prokuroria ka kërkuar 15 vite burg për 31-vjeçarin dhe 12 vite për bashkëpunëtorin e tij 32-vjeçar, si dhe dëbimin e të dyve nga Zvicra për një periudhë 10-vjeçare pas vuajtjes së dënimit.
Procesi gjyqësor ka nisur në Lugano, ndërsa dy të pandehurit ishin arrestuar në pikën kufitare të Chiassos. Sipas hetimeve, lënda narkotike ishte fshehur në tapicerinë e makinës dhe kishte një vlerë tregu që kalonte 2 milionë franga zvicerane. Dyshohet se kokaina ishte ngarkuar në Itali dhe kishte si destinacion tregjet e Evropës Veriore.
Sipas hetuesve, dy shqiptarët kishin role të ndara gjatë transportit. 31-vjeçari drejtonte automjetin ku ishte fshehur droga, ndërsa 32-vjeçari udhëtonte me një makinë tjetër përpara tij, duke shërbyer si sinjalizues për të kontrolluar rrugën.
Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se transporti i prillit 2025 nuk ishte rasti i vetëm. Përmes analizimit të komunikimeve telefonike dhe pamjeve të kamerave të sigurisë përgjatë autostradave, autoritetet kanë identifikuar katër udhëtime të dyshuara të kryera nga dy personat në periudhën nëntor 2024 - prill 2025.
Gjatë seancave gjyqësore, të dy të pandehurit kanë kundërshtuar akuzat se kishin dijeni të plotë për sasinë e drogës që transportonin. 31-vjeçari ka deklaruar se kishte pranuar të kryente transportin kundrejt pagesës prej 5 mijë eurosh, duke pretenduar se mendonte se në automjet kishte jo më shumë se 5 kilogramë drogë. Ndërsa 32-vjeçari ka pranuar se e dinte që po transportohej lëndë narkotike, por ka mohuar të kishte dijeni për sasinë e saj.


