Aksion blitz në mes të Cërrikut, lokali kthehet në fole droge, arrestohet pronari

Një operacion i strukturave të Antidrogës ka çuar në arrestimin e shtetasit Ajet Dyle , pronar i një lokali bar-kafeje në lagjen Malasej të qytetit të Cërrikut. Sipas informacioneve paraprake, arrestimi u krye mesditën e sotme, pas kontrolleve të ushtruara në ambientet e biznesit, ku dyshohet se u gjet një sasi lënde narkotike.
Burime paraprake bëjnë me dije se lokali dyshohet të jetë përdorur për shpërndarjen e lëndëve narkotike të llojeve të ndryshme. Megjithatë, rrethanat e plota të rastit, lloji dhe sasia e lëndës së sekuestruar, si dhe mënyra e funksionimit të aktivitetit të dyshuar, pritet të sqarohen nga hetimet dhe njoftimi zyrtar i Policisë.
Operacioni është zhvilluar nga strukturat e Antidrogës, me mbështetjen e forcave të shumta të Policisë. Sipas të dhënave paraprake, hetimet mund të shtrihen edhe në zona të tjera të qarkut të Elbasanit, për të verifikuar dyshimet mbi persona të tjerë dhe veprimtari të mundshme të lidhura me këtë rast.
Deri në publikimin e këtij lajmi, priten detaje të mëtejshme nga autoritetet për rezultatet e operacionit dhe veprimet e tjera procedurale.


