Kopjuan në provime, arrestohen 111 studentë në Korenë e Jugut

Bota

Kopjuan në provime, arrestohen 111 studentë në Korenë e
Një skandal i ri kopjimi ka tronditur sistemin arsimor në Korenë e Jugut, ku 111 kandidatë janë kapur me pajisje inteligjente të palejuara gjatë provimit kombëtar të pranimit në universitet. Pesë prej tyre janë kapur në flagrancë duke i përdorur këto pajisje për të kopjuar.

Rreth 500 mijë nxënës iu nënshtruan këtë javë provimit të njohur si Suneung, i cili konsiderohet një nga testet më të rëndësishme në vend, pasi rezultatet e tij përcaktojnë në masë të madhe mundësitë për të vazhduar studimet universitare dhe për të ndërtuar karrierën e ardhshme.

Autoritetet kishin marrë masa të veçanta për të parandaluar kopjimin, pas disa rasteve të zbuluara së fundmi, ku kandidatët kishin përdorur inteligjencën artificiale për të marrë përgjigjet e provimeve.

Madje, ditën e provimit, në të gjithë vendin u dërguan tri njoftime emergjente në telefonat celularë, mes orës 08:00 dhe 15:00. Alarmet u dëgjuan njëkohësisht edhe në telefonat që ishin vendosur në heshtje, përveç atyre që ishin të fikur ose në modalitetin e fluturimit. Sinjalet mbërritën edhe në telefonat e turistëve që përdornin internetin përmes roaming-ut.

Kjo ishte hera e parë që Koreja e Jugut përdorte sistemin kombëtar të alarmit për fatkeqësitë për të ndihmuar në parandalimin e kopjimit gjatë një provimi.

Masat përfshinë edhe kontrolle të syzeve, si dhe detyrimin e kandidatëve për të mbuluar kopsat e këmishave dhe xhaketave, për të shmangur përdorimin e kamerave të fshehta.

Shqetësimi i autoriteteve është shtuar pas disa rasteve të bujshme. Muajin e kaluar, dy kandidatë u kapën duke përdorur syze inteligjente me inteligjencë artificiale për të kopjuar gjatë provimeve të pranimit në universitet. Ndërsa, sipas Ministrisë së Arsimit, katër nxënës të shkollave të mesme ishin kapur këtë vit duke përdorur pajisje të tilla.

Një tjetër rast që tërhoqi vëmendjen ishte ai i një 34-vjeçari, Han Won-seok, i cili kishte marrë rezultatin më të lartë në provimin për certifikimin e kontabilistëve tatimorë, duke gabuar vetëm një nga 160 pyetjet. Pas dyshimeve për rezultatin e tij, ai pranoi se kishte kopjuar duke përdorur një kamerë të vogël të fshehtë, telefon celular dhe inteligjencë artificiale.

Në një video të publikuar të dielën, ai shpjegoi se kishte fotografuar pyetjet me kamerën e fshehtë, ia kishte dërguar ato një sistemi të inteligjencës artificiale dhe më pas kishte kontrolluar përgjigjet në telefonin e tij.

Rasti nxiti reagime të forta dhe detyroi autoritetet të merrnin masa shtesë vetëm pak ditë përpara provimit kombëtar.

Kryeministri i Koresë së Jugut, Lee Jae Myung, kërkoi të premten ndryshime në sistemin e provimeve, duke paralajmëruar për rrezikun që paraqet përdorimi i inteligjencës artificiale për të kopjuar.

Sipas tij, provimet publike kanë një ndikim të madh në mundësitë që u ofrohen qytetarëve dhe në shpërndarjen e burimeve në shoqëri. Ai theksoi se kopjimi me ndihmën e teknologjisë dëmton parimin e barazisë dhe besimin te sistemi.

Masat e rrepta kanë shkaktuar shqetësim edhe te nxënësit që nuk kanë ndërmend të kopjojnë. Disa prej tyre kanë frikë se syzet e zakonshme mund të ngatërrohen me ato inteligjente. Madje, një maturant vendosi të përdorte lente kontakti në vend të syzeve, vetëm për të shmangur dyshimet gjatë provimit.

Suneung zhvillohet çdo vit në muajin nëntor dhe zgjat rreth tetë orë. Nxënësit duhet t’u përgjigjen afërsisht 200 pyetjeve në lëndë të ndryshme, si gjuha koreane, matematika, anglishtja, shkencat sociale dhe ato natyrore.

Rëndësia e këtij provimi është aq e madhe sa, gjatë zhvillimit të tij, në Korenë e Jugut pezullohen punimet e ndërtimit, ndalohen përkohësisht fluturimet dhe shtyhen edhe stërvitjet ushtarake, në mënyrë që kandidatët të kenë sa më shumë qetësi dhe përqendrim.

Për shumë familje në Korenë e Jugut, ky provim shihet si një moment vendimtar në jetën e të rinjve, pasi rezultati mund të ndikojë në universitetin ku do të pranohen, në karrierën e tyre dhe në të ardhmen e tyre shoqërore.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion