Petro Gjikuria nuk merr përgjigje prej një viti, shkon vetë në SPAK për kallëzimin ndaj Tavos

Ish-kandidati i opozitës për Bashkinë e Himarës, Petro Gjikuria, është paraqitur këtë të premte në ambientet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), ku ka zhvilluar takime me përfaqësues të institucionit lidhur me një kallëzim të depozituar prej tij.
Sipas informacioneve paraprake, çështja lidhet me kallëzimin që Gjikuria ka bërë ndaj kryebashkiakut të Himarës, Vangjel Tavo, për dyshime mbi tjetërsimin e vendbanimit nga Dropulli në Himarë, në periudhën përpara zgjedhjeve vendore, ku Gjikuria kandidonte për drejtimin e bashkisë.
Pas daljes nga ambientet e SPAK, Gjikuria ka shpjeguar edhe arsyen e paraqitjes së tij në Prokurorinë e Posaçme, duke theksuar se ka vendosur të paraqitet me iniciativën e tij, pasi sipas tij, ka kaluar rreth një vit nga depozitimi i kallëzimit dhe ende nuk ka marrë një përgjigje për ecurinë e çështjes.
Ai është shprehur se shqetësimi i tij lidhet edhe me afrimin e zgjedhjeve të ardhshme, ndërsa kërkon që kallëzimi të marrë një përgjigje nga organi i drejtësisë.
"Kam ardhur me iniciativë pasi prej 1 viti kam bërë kallëzim dhe ende asnjë përgjigje nga SPAK, ndërsa po afrohen zgjedhjet e tjera. Sot më kërkuan disa dokumenta të tjera", citohet të ketë deklaruar Gjikuria.
Gjatë paraqitjes së tij, mësohet se përfaqësuesit e Prokurorisë i kanë kërkuar disa dokumente shtesë, të cilat lidhen me çështjen e kallëzuar.
Ndërkohë, mbetet për t'u parë se cilat do të jenë hapat e mëtejshëm të SPAK dhe nëse dokumentacioni i dorëzuar do të ndihmojë në vijimin e verifikimeve për pretendimet e ngritura nga ish-kandidati i opozitës.


