Veliaj letër publike Ballukut: Lejo operacionin tim, kam nevojë urgjente

Erion Veliaj i shkruan letër Belinda Ballukut nga burgu: Hallin tim e zgjidh veç Bela, kërkon operacion në Tiranë
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i është drejtuar me një letër zëvendëskryeministres Belinda Balluku, përmes së cilës kërkon miratimin për të kryer një ndërhyrje kirurgjikale në Tiranë, pranë mjekut të tij dhe familjes.
Në letrën e shkruar nga ambientet e IEVP Fier, Veliaj thotë se prej rreth një muaji po vuan pasojat e izolimit, ndërsa pretendon se ndodhet me një këmbë të thyer dhe ka nevojë urgjente për operacion.
Veliaj shprehet se kërkesat e tij të përsëritura drejtuar institucioneve shtetërore, përfshirë Kryeministrin Edi Rama, ministrin Gogu dhe drejtoreshën e Përgjithshme të Burgjeve, nuk kanë marrë përgjigje.
Në këtë situatë, ai ka vendosur t'i drejtohet drejtpërdrejt Belinda Ballukut, duke iu referuar asaj që, sipas tij, është një perceptim i krijuar edhe mes të burgosurve dhe punonjësve në institucionin ku po mbahet.
Në letër, Veliaj ironizon rolin e kryeministrit, duke cituar shprehjet që pretendon se dëgjon në ambientet e burgut: “Kryeministri është kot, nuk merr dot më asnjë vendim” dhe “hallin tënd e zgjidh veç Bela”.
Duke iu referuar këtyre komenteve, ai shkruan se po dorëzohet edhe vetë, ashtu siç shprehet se kanë bërë shumë shqiptarë dhe socialistë, duke iu drejtuar Ballukut për ndihmë.
“Ndaj, po dorëzohem edhe unë si gjithë shqiptarët e socialistët e po vij tek ju në ditën e Pranisë Besnike”, shkruan Veliaj.
Kërkesa kryesore e letrës lidhet me mundësinë për t'u transportuar në Tiranë dhe për të kryer ndërhyrjen kirurgjikale pranë mjekut që e ka ndjekur më parë, si dhe për të qenë pranë familjes gjatë kësaj periudhe.
“Ju kërkoj të aprovoni operacionin tim në Tiranë, pranë mjekut tim dhe familjes sime”, thuhet në mesazhin e tij drejtuar zëvendëskryeministres.
Në fund të letrës, Veliaj e mbyll me një formulim ironik, duke e firmosur veten si “Socialisti me duar të lidhura”.
Letra e tij vjen në një kohë kur Veliaj vijon të qëndrojë në ambientet e paraburgimit në Fier, ndërsa përmes këtij reagimi ngre shqetësimin për gjendjen e tij shëndetësore dhe kërkon ndërhyrjen e autoriteteve për të marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor në Tiranë.

