Balla zbulon lëvizjen e radhës të PS-së: “Prania Besnike” do të shtrihet edhe në diasporë

Teksa Partia Socialiste po ndez motorët e përgatitjeve për zgjedhjet vendore të 9 majit, nisma “Prania Besnike”, e cila synon të afrojë deputetët dhe drejtuesit socialistë me qytetarët përmes takimeve të rregullta, do të shtrihet edhe në diasporë.
Lajmin e ka bërë të ditur kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, njëherësh drejtues politik për Diasporën, përmes një postimi në rrjetet sociale.
“Prania Besnike” është një nismë e prezantuar nga kryeministri Edi Rama, që parashikon takime të deputetëve dhe drejtuesve socialistë me qytetarët çdo të premte, në orën 17:00, në çdo njësi administrative. Gjatë këtyre takimeve dëgjohen shqetësimet dhe ankesat e qytetarëve, të cilat regjistrohen në një platformë online.
“Prania Besnike do të marrë formë edhe për vëllezërit dhe motrat tona në diasporë. Sigurisht është e pamundur ta bëjmë këtë sy më sy kudo ku janë. Por sa të mundemi, aty ku mundemi, shtuar dhe mundësitë e komunikimit digjital, do ta shtrijmë Praninë Besnike edhe në diasporë.
Më shumë se 200 mijë shqiptarë në diasporë shprehën me votë vullnetin e tyre se kush duhet ta drejtojë Shqipërinë dhe kush duhet t’i përfaqësojë në Kuvend. Mbi 122 mijë bashkëatdhetarë mbështetën Partinë Socialiste, Edi Ramën për vizionin Shqipëria anëtare e Bashkimit Europian”, shkruan Balla në Facebook.
“Dhe mos harroni, ka vetëm një forcë politike besnike: Partia Socialiste e Shqipërisë”,shtoi ai

