Nuk u lejua takimi me të vëllanë, Daut Krasniqi tenton të shohë Jakupin nga ballkoni i shtëpisë

Sot është dita e tretë e vizitës së Jakup Krasniqit në Kosovë, ndërsa një nga momentet më prekëse të kësaj vizite është shënuar në lagjen Velania, në Prishtinë. Pavarësisht se ndodhet vetëm pak metra larg shtëpisë së të vëllait, Daut Krasniqi nuk është lejuar të hyjë brenda për ta takuar nga afër.
Pamundësia për të qenë pranë të vëllait e ka detyruar Daut Krasniqin të gjejë një mënyrë tjetër për ta parë. Ai ka dalë në ballkonin e banesës së tij, nga ku ka tentuar të ndjekë me sy Jakup Krasniqin dhe ta përcjellë nga larg.
Një distancë e vogël në metra, por e madhe në emocione, mes dy vëllezërve që, ndonëse jetojnë në shtëpi shumë pranë njëri-tjetrit, nuk kanë mundur të takohen. Pamjet nga ky moment kanë përcjellë një skenë të fortë emocionale, duke treguar dhimbjen e një familjari që detyrohet ta shohë të afërmin e tij nga ballkoni, pa pasur mundësinë t'i afrohet apo ta përqafojë.
Takimi që nuk u realizua nga afër u kthye kështu në një nga momentet më domethënëse të vizitës së Jakup Krasniqit në Kosovë.

