“Ishte i pesti që u hodh nga ballkoni i spitalit”, Irena rrëfen humbjen tragjike të bashkëshorti

Aktualitet

“Ishte i pesti që u hodh nga ballkoni i spitalit”, Irena

Një dashuri e lindur në një kohë të vështirë, një familje e ndërtuar mes sakrificash dhe një ndarje që erdhi jo për shkak të mungesës së dashurisë, por përballë një beteje të rëndë me sëmundjen. Irena rrëfeu në “Ka Një Mesazh Për Ty” historinë e marrëdhënies me bashkëshortin e saj, një ish-i burgosur politik, me të cilin u largua nga Shqipëria pas rënies së komunizmit.

Ata shkuan fillimisht drejt Greqisë, ndërsa më pas u vendosën në Belgjikë. Por jeta do t’i përballte me një tjetër sfidë të jashtëzakonshme. Bashkëshorti i Irenës u përball me një sëmundje të rëndë mendore dhe, pavarësisht se çifti u divorcua, ajo tregon se nuk e braktisi kurrë. Për 22 vite, Irena thotë se bëri gjithçka për të qenë pranë tij dhe për ta mbrojtur, ndërsa dy djemtë e tyre vijuan ta kishin babain pjesë të jetës së tyre.

Humbja e tij do të ishte edhe më tragjike. Gjatë pandemisë së COVID-19, ai humbi jetën pasi u hodh nga ballkoni i spitalit. “Ishte i pesti që u hodh nga ballkoni i spitalit”, rrëfeu Irena mes emocioneve, duke pranuar se e kishte përjetuar shumë rëndë atë moment.

Irena: Unë kam ardhur që të bëj edhe një përpjekje të fundit, ndoshta. Sepse kam nëntë vjet pa i takuar dhe pa pasur asnjë lloj komunikimi me dy fëmijë binjakë, djalë dhe vajzë, të vëllait tim të ndjerë që ka 9 vjet që ka vdekur.

Ardit Gjebrea: Flasim pak për jetën tuaj fillimisht?

Irena: Unë jam nënë e dy djemve të rritur sot. Jam rritur në një familje katër veta, unë vëllai dhe dy fëmijët e mi. Unë kam lindur në Korçë, por jam rritur dhe kam jetuar në qytetin e Laçit, deri në kohën e demokracisë. Unë nuk arrita dot që të bëja shkollën e lartë, siç ishte politika atëherë, për shkak biografie. Unë bëra një kurs për rrobaqepëse, kurse vëllai im i ndjerë pati fatin që të ndiqte shkollën e lartë. Vëllai erdhi të bënte shkollën në Tiranë, prindërit shitën shtëpinë që kishim në Laç dhe jetuan në Tiranë. Unë kur u ktheva nga Belgjika sapo kishin hyrë në shtëpi.

Ardit Gjebrea: Si shkove në Belgjikë?

Irena: Sapo erdhi demokracia, mua nuk më interesoi asnjë gjë dhe ika në Belgjikë. Ika me bashkëshortin pa bërë martesën akoma. Ikëm në Greqi në fillim…

Ardit Gjebrea: Çfarë bëri që e le Greqinë?

Irena: Bashkëshorti im i ndjerë ka qenë një ish-i burgosur politik, letrat në Greqi i kishim, por ai e ndjente veten akoma të persekutuar.

Ardit Gjebrea: Ti thua bashkëshorti im i ndjerë, çfarë ka ndodhur?

Irena: Bashkëshorti im ka ndërruar jetë pas 6 vitesh dhe kam qenë e divorcuar 16 vite para me të. Ne shkuam në Belgjikë bashkë dhe më pas u ndamë, sepse na ndoqën pas problemet e sistemit me të cilin jetuam. Nuk kishim probleme në çift. Fëmijët e mi janë edhe sot në shtëpinë e babait të tyre, unë jam e nderuar në shtëpinë e babait të tyre.

Ardit Gjebrea: Pra ndarja juaj ishte një ndarje mirëkuptimi?

Irena: Arsye të një sëmundjeje të rëndë mendore. Im shoq hoqi një nga torturat më të rënda në rrethin e Krujës, në kohën e sistemit. Ishte një djalë trim dhe një djalë i besës. Kur u sëmur djalin e vogël e kisha 3 vjeç dhe të madhin 12 vjeç. Ishte një zgjedhje e vështirë, por nuk e braktisëm, thjesht jetonte në shtëpi më vete. Nuk bëra gjyq. Shkak për vdekjen e tij u bë covid-i. Ishte i pesti që u hodh… I pesti që u hodh nga ballkoni i spitalit. E kam përjetuar edhe shumë keq. Nuk u ndava me atë, sepse ai ishte i keq, apo se më kishte dhunuar. Në 22 vite e di unë se si ia kam dalë. Por, për çdo gjë unë konsultohesha me babain time.

ME TE LEXUARAT