Ngërç për zgjedhjen e kryeprokurorit të ri, KLP tejkalon afatet

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka tejkaluar afatet ligjore për përzgjedhjen e kandidatëve për postin e Prokurorit të Përgjithshëm, ndërsa mandati i Olsian Çelës përfundon më 5 dhjetor.
KLP-ja duhet t’i propozojë Kuvendit tre kandidatë për postin, por deri tani nuk ka përfunduar as fazën e vlerësimit paraprak të pesë kandidatëve që kanë aplikuar.
Sipas të dhënave, formularët e kandidatëve duhet t’i ishin dërguar Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI) brenda pesë ditëve nga përfundimi i afatit të aplikimit, më 1 gusht. Megjithatë, kjo procedurë është kryer rreth një muaj e gjysmë me vonesë.
“Kemi kaluar çdo afat”, deklaroi anëtarja e KLP-së, Ledina Riza.
Ndërkohë, vlerësimi paraprak i kandidatëve, i cili sipas ligjit duhet të përfundonte brenda 45 ditëve, pra deri më 15 shtator, nuk ka nisur ende. KLP-ja nuk ka hartuar as listën e kandidatëve që plotësojnë kriteret dhe as atë të kandidatëve që përjashtohen nga gara.
Edhe pse ligji parashikon që Inspektori i Lartë i Drejtësisë të nisë verifikimet për arsyet e zvarritjes së procedurave, deri tani nuk është kryer një verifikim i tillë.
Gjatë muajit shtator, mbledhjet e KLP-së janë shoqëruar me debate dhe kërkesa për përjashtimin e anëtarëve nga procesi i përzgjedhjes. Në mbledhjen e fundit, me kërkesë të njërit prej anëtarëve, Zeqir Hoda u përjashtua nga të gjitha procedurat e vlerësimit, duke e çuar numrin e anëtarëve pjesëmarrës nga 11 në 10.
Ndërkohë, ende nuk janë shqyrtuar kërkesat për përjashtimin e dy anëtarëve të tjerë, Vatë Stakës dhe Sokol Stojanit.
Mbledhja e radhës e KLP-së pritet të zhvillohet të enjten. Disa nga mbledhjet e mëparshme kanë dështuar për shkak të mungesës së kuorumit.


