Greva dyditore bllokon Belgjikën, anulohen 140 fluturime në Bruksel!

Sindikatat kryesore në Belgjikë kanë bërë thirrje për dy ditë protesta, të premten dhe të hënën. Për shkak të grevës priten probleme në transportin ajror dhe hekurudhor, si edhe në disa shërbime publike.
Rreth 140 fluturime nga dhe drejt aeroportit të Brukselit pritet të anulohen të premten, pasi një kompani që merret me shërbimet në tokë për avionët ka njoftuar se do t’i bashkohet grevës, raportoi sot agjencia belge e lajmeve “Belga”.
Aeroporti i Charleroi-t, i dyti më i madh në Belgjikë, planifikon të kryejë të gjitha fluturimet e parashikuara.
Kompania kombëtare e trenave SNCB, ka njoftuar se do të ketë më pak trena në qarkullim nga mbrëmja e së dielës deri të hënën, pasi pritet që shumë punonjës të hekurudhave t’i bashkohen grevës.
Sipas ofruesve të shërbimeve, greva pritet të prekë edhe transportin publik, arsimin dhe mbledhjen e mbeturinave, ndër shërbime të tjera.
Sindikatat e krishtera CSC dhe ato socialiste FGTB, po organizojnë së bashku protestat, në kundërshtim me politikat buxhetore të qeverisë.
Një protestë në Bruksel të premten, pritet të mbledhë mijëra njerëz.
Një protestë e ngjashme në maj tërhoqi nga 40 mijë deri në 75 mijë pjesëmarrës, sipas vlerësimeve të policisë dhe sindikatave.
Belgjika përballet me një borxh të lartë publik dhe prej kohësh ka një deficit të madh buxhetor.
Qeveria e qendrës së djathtë, e drejtuar nga kryeministri Bart De Wever, ka vendosur si objektiv të kursejë 10 miliardë euro deri në fund të mandatit në vitin 2029.

