Grabitja me sharrë elektrike në Muzeun Renoir, pranga 5 personave në Francë, dy piktura me vlerë mbeten të zhdukura

Të paktën pesë persona janë arrestuar në Francë në lidhje me vjedhjen e katër veprave të piktorit të njohur Pierre-Auguste Renoir nga Muzeu Renoir, në rajonin e Nicës.
Dy prej pikturave, me vlerë të konsiderueshme, vijojnë të jenë të zhdukura, ndërsa dy të tjera u gjetën të braktisura nga autorët gjatë arratisjes.
Vjedhja ndodhi në orët e para të 8 shtatorit. Hajdutët dyshohet se kaluan gardhin e muzeut, hynë në ambientet e tij pasi thyen një dritare dhe përdorën një sharrë elektrike për të shkëputur pikturat nga mbështetëset.
Mes veprave të vjedhura ishin “Portreti i Madame Colonna Romano”, i pikturuar në vitin 1910, dhe “Vajza e Re te Pusi” (Jeune fille au puits), e vitit 1886. Këto dy vepra janë ende në kërkim.
Arrestimet u raportuan fillimisht nga gazeta franceze “Nice-Matin”. Sipas raportimeve, hetuesit po shqyrtojnë mundësinë që të dyshuarit të kenë lidhje me një grup të organizuar që merret me vjedhjen e veprave të artit.
Muzeu Renoir ndodhet në rezidencën ku artisti francez kaloi vitet e fundit të jetës së tij, deri në vdekjen në vitin 1919. Muzeu u hap për publikun në vitin 1960 dhe përmban 12 vepra të Renoir, krahas objekteve dhe dokumenteve që lidhen me jetën dhe krijimtarinë e tij.
Në koleksion ndodhen edhe sende personale të artistit, mes tyre trekëmbëshi dhe karroca me rrota që ai përdorte, si dhe fotografi e letra personale.
Vjedhja në Muzeun Renoir i shtohet një serie grabitjesh të veprave të artit të raportuara muajt e fundit në Evropë, duke rikthyer në vëmendje çështjen e sigurisë në muze dhe galeri.
Në gusht, një tjetër vjedhje në Itali kishte përfshirë vepra të Renoir, Paul Cézanne dhe Henri Matisse. Pikturat u gjetën dhe u rikuperuan më vonë.
Ndërkohë, vjedhja e bizhuterive të Kurorës Franceze nga Muzeu i Luvrit në Paris, në tetor 2025, shkaktoi një reagim të gjerë ndërkombëtar dhe ngriti pikëpyetje të forta mbi masat e sigurisë në institucionet e mëdha të artit.

