Fenomen i rrallë në hapësirë, struktura e plazmës 500 mijë kilometra e gjatë shkëputet nga Dielli drejt Marsit

Një fenomen i jashtëzakonshëm diellor u regjistrua më 29 tetor nga teleskopët hapësinorë. Një strukturë gjigante plazme, me gjatësi rreth 500 mijë kilometra, u shkëput nga Dielli dhe u lëshua në hapësirë, duke tërhequr vëmendjen e komunitetit shkencor.
Pamjet u regjistruan nga instrumenti SUVI, i vendosur në satelitin GOES-R, i cili monitoron aktivitetin diellor përmes rrezatimit ultravjollcë. Përmasat e fenomenit janë rreth 40 herë më të mëdha se diametri i Tokës. Sipas vlerësimeve paraprake, masa e plazmës nuk po drejtohet nga Toka, por kryesisht drejt Marsit. Për këtë arsye, rreziku për planetin tonë konsiderohet shumë i ulët dhe ndikimi i mundshëm në infrastrukturën tokësore pritet të jetë i papërfillshëm.
enomeni lidhet me atë që shkencëtarët e quajnë nxjerrje masive koronale (CME), një proces gjatë të cilit sasi të mëdha plazme dhe fusha magnetike shkëputen nga atmosfera e jashtme e Diellit dhe përhapen në hapësirën ndërplanetare. Prominencat diellore, nga të cilat mund të lindin këto shpërthime, përbëhen nga plazmë e dendur që mbahet pezull nga fusha magnetike e Diellit. Kur kjo strukturë humbet ekuilibrin, materiali mund të lëshohet me shpejtësi të madhe në hapësirë.
Të dhënat e monitorimit tregojnë se aktiviteti magnetik pranë Tokës ka mbetur i qetë, me shpejtësi të erës diellore rreth 344 kilometra në sekondë dhe indeksin gjeomagnetik Kp në vlerën 0.3. Vëmendja e studiuesve tashmë është përqendruar te Marsi, ku mungesa e një fushe magnetike globale e bën atmosferën më të ekspozuar ndaj ndikimit të plazmës diellore. Shkencëtarët pritet të analizojnë më tej trajektoren dhe pasojat e këtij fenomeni.
Vëzhgimet mund të ndihmojnë në kuptimin më të mirë të mënyrës se si shpërthimet diellore ndikojnë në planetët e Sistemit Diellor dhe në zhvillimin e sistemeve të paralajmërimit për stuhitë gjeomagnetike, të cilat në raste të caktuara mund të prekin rrjetet elektrike, komunikimet dhe sistemet GPS.


