Ftesa mbetet e hapur, Edi Rama: Gati për bisedime me studentët, tryeza e “dialogut” në shesh

Kryeministri Edi Rama ka përsëritur thirrjen e tij drejtuar studentëve protestues për uljen në një tryezë diskutimi, pavarësisht tensioneve dhe ngërçit të krijuar në vend. Përkundër kërkesave të ngritura në protestë, kreu i qeverisë e ka bërë të qartë se nuk do të tërhiqet nga drejtimi i ekzekutivit, por mbetet plotësisht i hapur për të adresuar çdo shqetësim dhe kërkesë që lidhet me përmirësimin e kushteve arsimore.
Në një gjest simbolik por të përsëritur, ashtu si çdo ditë tjetër, përpara hyrjes së Kryeministrisë është vendosur një tryezë e gurtë, mbi të cilën janë ekspozuar fletët me mbishkrimin e qartë “dialog”.
Kjo tavolinë shërben si një thirrje e vazhdueshme dhe e hapur përfaqësuesve të studentëve që të lënë mënjanë rrugën e bojkotit dhe t'i drejtohen bisedimeve direkte.
Qëndrimi i qeverisë vijon të fokusohet te gjetja e zgjidhjeve praktike përmes tryezës së përbashkët të punës, ndërsa situata në terren mbetet në pritje të një përgjigjeje zyrtare nga ana e trupës studentore për t'i dhënë hapësirë negocimit institucional.


