U nda dje nga jeta, homazhet për ambasadorin Bashkim Zeneli do të mbahen më 2 nëntor

Më 2 nëntor, pritet të zhvillohen homazhet për ndarjen nga jeta të ambasadorit Bashkim Zeneli. Raportohet se ceremonia e nderimit do të zhvillohet nga ora 11:00 deri në orën 13:00, pranë sallës së seancës plenare, në Kuvendi ne Shqipërisë.
Diplomati i njohur u nda nga jeta ditën e djeshme, në një spital jashtë vendit, ku edhe po kurohej, në moshën 78-vjeçare. Gjatë karrierës së tij, ai ka përfaqësuar shtetin shqiptar në Gjermani dhe Greqi, ndërsa ka qenë dhe deputet në Kuvendin e Shqipërisë.
Gjatë karrierës së tij, Bashkim Zeneli dha një kontribut të rëndësishëm në përfaqësimin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.
Bashkim Zeneli shërbeu si ambasador i Shqipërisë në Gjermani dhe Greqi, duke qenë një prej diplomatëve që përfaqësuan vendin në periudha të rëndësishme të zhvillimeve politike dhe diplomatike.
Përveç karrierës diplomatike, Zeneli ka qenë edhe deputet i Kuvendit, gazetar dhe publicist. Ai ka publikuar shumë shkrime dhe ka botuar disa libra.
Për kontributin e tij në diplomaci, politikën e jashtme dhe çështjen kombëtare Bashkim Zeneli është nderuar nga Presidenti i kohës, Ilir Meta me titullin “Mjeshtër i Madh“.


