Dogana gjermane bllokon pakon drejt Shqipërisë, qeni nuhatës zbulon 32 lëkura pitoni të kontrabanduara

Bota

Dogana gjermane bllokon pakon drejt Shqipërisë, qeni nuhatës

Një dërgesë e nisur nga Indonezia dhe me destinacion Shqipërinë është sekuestruar në aeroportin Leipzig/Halle në Gjermani, pasi brenda saj u zbuluan 32 lëkura pitoni.

Sipas mediave gjermane, paketa ishte deklaruar si “xhaketë mode dhe pëlhurë batik prej pambuku”, por dyshimet lindën gjatë kontrollit doganor, kur një qen i specializuar për zbulimin e produkteve që përftohen nga specie të mbrojtura sinjalizoi praninë e materialeve të dyshimta.

Pas kontrollit të imtësishëm, doganierët zbuluan 32 lëkura pitoni, të ngjyrosura në blu, të kuqe dhe të zezë, me gjatësi që varionte nga 340 deri në 450 centimetra. Në pako u gjetën gjithashtu edhe katër copa të tjera materiali.

Sipas autoriteteve gjermane, pitonët dhe produktet që përftohen prej tyre, përfshirë lëkurën, i nënshtrohen kufizimeve të rrepta tregtare në kuadër të legjislacionit për mbrojtjen e specieve të rrezikuara.

Meqenëse dërgesa nuk shoqërohej me dokumentacionin e nevojshëm për kalimin tranzit në territorin e Bashkimit Evropian, dogana vendosi sekuestrimin e saj.

Rasti është bërë publik nga autoritetet doganore gjermane dhe ka tërhequr vëmendjen për shkak të mënyrës se si u zbulua ngarkesa, falë nuhatjes së qenit të specializuar.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion