Çfarë ka ndodhur brenda qelive të IEVP-ve në Shqipëri gjatë një jave? Drejtoria e Burgjeve publikon BILANCIN

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka publikuar bilancin javor të aktivitetit në institucionet penitenciare për periudhën 26–30 tetor 2026, duke raportuar të dhëna mbi numrin e të burgosurve, transferimet, lirimet, incidentet dhe aktivitetet e rehabilitimit.
Sipas raportit, në burgjet e Shqipërisë ndodhen aktualisht 4,272 të dënuar dhe të paraburgosur, ndërsa kapaciteti i përgjithshëm i sistemit është 5,293 persona. Kjo do të thotë se në institucionet penitenciare rezultojnë 1,021 vende të lira.
Gjatë javës janë kryer 16 transferime të të burgosurve dhe janë regjistruar tri ekstradime, ndërsa janë liruar 17 të dënuar dhe 45 persona të paraburgosur. Gjithashtu, janë përfunduar 10,239 dëshmi penaliteti.
Sa i përket sigurisë, raporti evidenton 14 ngjarje dhe incidente në institucionet penitenciare, si dhe 49 profilizime për vlerësimin e riskut.
Në drejtim të rehabilitimit dhe riintegrimit, 371 persona janë të punësuar, 224 të dënuar ndjekin procesin arsimor dhe 82 të tjerë marrin pjesë në kurse profesionale. Ndërkohë, 519 të burgosur janë përfshirë në programe terapeutike dhe rehabilitimi, ndërsa janë zhvilluar 84 aktivitete social-kulturore.
Në aspektin shëndetësor, gjatë kësaj periudhe janë realizuar 80 konsulta mjekësore në spitale publike dhe private, si dhe 21 ekspertime mjeko-ligjore.


