"Brenda vjeshtës..." Ministrja e Ekonomisë jep lajmin për Inteligjencën Artificiale në Shqipëri

Aktualitet

"Brenda vjeshtës..." Ministrja e Ekonomisë jep lajmin
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj bëri të ditur sot se brenda vjeshtës pritet fillimi i përdorimit të inteligjencës artificiale në prokurimet publike, gjë që do të garantojë më tepër transparencë në këtë proces.

Në një prononcim për mediet pas mbledhjes së qeverisë, Ibrahimaj bëri të ditur se në takimin e Këshillit të Ministrave u diskutua gjerësisht për prokurimet publike dhe për nevojën për të pasur një sistem më të qendërzuar dhe më transparent të prokurimeve publike.

“Sapo përfunduam mbledhjen e Këshillit të Ministrave, në të cilën, ndër të tjera, diskutuam gjerësisht për prokurimet publike dhe për nevojën për të pasur një sistem më të qëndërzuar dhe më transparent të prokurimeve publike.

Ne shpeshherë gjatë vitit kemi diskutuar për sistemin e ri të inteligjencës artificiale, i cili do të përfshihet në prokurimet publike. Jemi në fazat e fundit të finalizimit të detajeve dhe, duke qenë se presim që shumë shpejt, pra brenda vjeshtë të këtij viti, të fillojmë me procedurat e përdorimit të inteligjencës artificiale në prokurimet publike, donim të rishikonim mënyrën se si ato bëhen, në mënyrë që të jenë më transparente dhe më të prekshme për qytetarët.

Më herët kemi thënë se është e rëndësishme që në platformën “PasqyraAlbania” të kemi një informacion të detajuar mbi prokurimet publike, ku qytetarët jo vetëm të kenë akses mbi cilat janë prokurimet që kryhen dhe përfundimin e tyre, por të kenë akses edhe mbi zbatimin e kontratave të prokurimeve. 

Ndaj edhe kemi diskutuar sot dhe është prezantuar një model në të cilin jo vetëm Operatori i Blerjeve të Përqendruara (OBP) do të marrë më shumë peshë në kryerjen e proceseve të prokurimeve publike, por edhe do të sinkronizohen të gjitha sistemet e Ministrisë së Financave, të Agjencisë së Prokurimit Publik, por edhe të Operatorit të Blerjeve të Përqendruara dhe të zbatimit të kontratave, deri në pikën finale të sistemeve të fiskalizimit. Në këtë mënyrë, në çdo moment, fondet publike do të jenë të gjurmueshme, të kontrollueshme dhe transparente për të gjithë ata që do të jenë të interesuar”, – u shpreh Ibrahimaj. 

ME TE LEXUARAT