Freedom House: Liria në botë nën kërcënim të skajshëm. Ku renditet Shqipëria dhe Kosova

Organizata Freedom House tha të enjten se liria në botë përballet me një kërcënim të skajshëm dhe armiqtë e demokracisë liberale, po shtojnë sulmet e tyre.
Në raportin vjetor të Freedom House të vitit 2022, që u publikua të enjten, thuhet se regjimet autoritare janë bërë më të efektshme në anashkalimin e normave dhe institucioneve që synojnë të mbështesin liritë themelore, ndërsa në vendet me demokraci të krijuar prej kohësh, forcat e brendshme kanë shfrytëzuar mangësitë në sistemet e tyre, duke shtrembëruar politikën kombëtare për të nxitur urrejtjen, dhunën dhe pushtetin e pafre.
Ndërkohë, ato vende që kanë luftuar në hapësirën midis demokracisë dhe autoritarizmit, thuhet në raport, “po anojnë gjithnjë e më shumë drejt këtij të fundit. Rendi global po i afrohet një pike kthese dhe nëse mbrojtësit e demokracisë nuk punojnë së bashku për të ndihmuar në garantimin e lirisë, modeli autoritar do të mbizotërojë”.
Kërcënimi aktual për demokracinë, sipas raportit, është rrjedhojë e 16 viteve me radhë të rënies së lirisë globale. Gjithsej 60 vende pësuan rënie gjatë vitit të kaluar, ndërsa vetëm 25 shënuan përmirësime. Deri më sot, rreth 38 për qind e popullsisë në botë jeton në vende jo të lira, përqindja më e lartë që nga viti 1997. Vetëm rreth 20 për qind tani jeton në vende të lira.
Raporti thekson se për pjesën më të madhe të shekullit të 21-të, kundërshtarët e demokracisë kanë punuar me këmbëngulje dhe frytet e përpjekjeve të tyre tani janë të dukshme.
“Udhëheqësit e Kinës, Rusisë dhe diktaturave të tjera, kanë arritur të ndryshojnë nxitjen globale, duke rrezikuar konsensusin se demokracia është e vetmja rrugë e qëndrueshme drejt përparimit dhe sigurisë, ndërsa inkurajojnë qasje më autoritare ndaj qeverisjes”.
Freedom House vë re se vende në të gjitha rajonet e botës, janë vënë nën kontroll nga pushtetarët autoritarë vitet e fundit. Vetëm në vitin 2021, presidenti aktual i Nikaraguas fitoi një mandat të ri në një palë zgjedhje të orkestruara pasi forcat e tij të sigurisë arrestuan kandidatët e opozitës dhe çregjistruan organizatat e shoqërisë civile. Gjeneralët e Sudanit morën pushtetin edhe një herë, duke përmbysur përparimin demokratik të arritur pas përmbysjes së ish-diktatorit Omar al-Bashir, në vitin 2019. Dhe ndërsa Shtetet e Bashkuara tërhoqën papritur ushtrinë e tyre nga Afganistani, qeveria e zgjedhur në Kabul u shpërbë duke u lënë hapësirën talebanëve, që e kthyen vendin në një sistem që është diametralisht i kundërt me demokracinë, pluralizmin dhe barazinë.
Në të njëjtën kohë, thuhet në r/VOAaport, demokracitë po dëmtohen nga brenda nga forcat joliberale, duke përfshirë politikanë të paskrupullt të gatshëm për të korruptuar dhe shkatërruar vetë institucionet që i sollën në pushtet. Kjo ishte ndoshta më e dukshme vitin e kaluar në Shtetet e Bashkuara, kur u sulmua Kapitoli më 6 janar, si pjesë e një përpjekjeje të organizuar për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve presidenciale.
Tani është e pamundur të injorohet dëmtimi i themeleve dhe namit të demokracisë, thuhet në raport në të cilin nënvizohet se, regjimet e Kinës, Rusisë dhe vendeve të tjera autoritare kanë fituar fuqi të madhe në sistemin ndërkombëtar.
Gjendja aktuale e lirisë në botë duhet të jetë alarm për të gjitha ta ata që vlerësojnë të drejtat e tyre dhe ato të qenieve njerëzore, thuhet në raport, në të cilin theksohet se për të ndaluar rënien, qeveritë demokratike duhet të forcojnë ligjet dhe institucionet e brendshme, duke ndërmarrë veprime të guximshme dhe të bashkërenduara për të mbështetur luftën për demokraci në mbarë botën.
Freedom House radhiti vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipërinë, Kosovën, Serbinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Bosnjën, në mesin e vendeve pjesërisht të lira. Në këtë kategori përfshihen 56 nga 195 vendet për të cilat flet raporti.
Serbia ka shënuar rënie në dhjetë vjetët e fundit. Ndërsa përparime thuhet të jenë shënuar në Malin e Zi, ku “një koalicion opozitar erdhi në pushtet në fund të vitit 2020, duke u dhënë fund tre dekadave të qeverisjes nga Partia Demokratike e Socialistëve. Qeveria e re vendosi më pak pengesa për konkurrencën politike, i dha transmetuesit publik më shumë pavarësi dhe shumica e saj e ngushtë parlamentare lejoi ligjvënësit të sigurojnë mbikëqyrje më të madhe të qeverisë”./VOA/