Stuhia godet vendin, 5 avionë devijohen nga Rinasi, 52 fidera jashtë pune

Reshjet e shiut dhe moti i paqëndrueshëm kanë krijuar problematika në disa zona të vendit, me pasoja kryesisht në rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike, në disa akse rrugore dhe në trafikun ajror. Pesë avionë nuk kanë mundur të ulen në Aeroportin e Rinasit për shkak të kushteve të këqija atmosferike dhe janë devijuar drejt aeroporteve alternative.
Vështirësitë janë krijuar në trafikun për ulje, ndërsa ngritjet nga aeroporti i Tiranës vijojnë normalisht.
Sipas raportit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, aktualisht janë 52 fidera jashtë funksionit, kryesisht në zonat rurale të Matit, Mirditës, Lushnjës dhe Bajram Currit. Ndërhyrjet për riparimin e defekteve paraqesin vështirësi për shkak të distancave të mëdha të rrjetit dhe terrenit të vështirë. Megjithatë, linjat që furnizojnë me energji hidrovorët vijojnë të jenë në punë.
Problematika janë evidentuar edhe në disa akse rrugore, ku janë raportuar rënie gurësh dhe inertesh. Bëhet fjalë për rrugët në zonat e veriut, përfshirë akset Bogë–Theth, B.Curri–Valbonë, Kukës–Bushtricë, Kukës–Shishtavec dhe Rrëshen–Shpal–Qafë Bene.
Pavarësisht këtyre problematikave, Ministria thote se qarkullimi vijon normalisht në të gjitha akset nacionale. Në Qafë Thorë janë regjistruar reshje shiu dhe dëbore, por rruga është mbajtur e pastër. Në Portin e Durrësit, tragetet kanë mbërritur sipas orarit dhe përpunimi i kontejnerëve vijon pa probleme. Reshjet kanë ndërprerë përkohësisht vetëm shkarkimin e një pjese të mallrave.


