A do të rritet taksa e duhanit? Përplasje të forta mes qeverisë dhe prodhuesve

Vijon debati për akcizën e duhanit të hapur (fine cut) mes Ministrisë së Financave dhe grupeve të interesit.
Ministria argumenton se Direktiva 2011/64/BE përcakton nivele minimale dhe jo maksimale të akcizës, ndaj barazimi i taksimit mes duhanit të prerë imët dhe cigareve nuk bie ndesh me legjislacionin europian. Sipas MF-së, unifikimi gradual deri në vitin 2030 i akcizës për produktin vendas dhe atë të importuar është i nevojshëm për të përmbushur angazhimet e integrimit dhe rekomandimet e BE-së dhe FMN-së.
Nga ana tjetër avokati Sajmir Laçej kundërshton këtë interpretim, duke argumentuar se diferencimi i akcizës sipas kategorive të produkteve është vetë një parim i Direktivës. Sipas tij, barazimi i akcizës së duhanit fine cut me atë të cigareve shkon përtej përafrimit europian dhe rrezikon të favorizojë importuesit, duke dëmtuar fermerët dhe përpunuesit vendas. Ai kundërshton gjithashtu rritjen e mëtejshme të akcizës për duhanin fine cut të importuar, duke kërkuar ruajtjen e nivelit aktual prej 7,750 lekësh/kg gjatë viteve 2027–2033.
Laçej i kërkon Zyrës së Bashkëqeverisjes verifikimin e pretendimeve nga një palë e tretë e paanshme dhe zhvillimin e një takimi të dedikuar për këtë çështje.
Debati i plotë
Qëndrimi i MF: Fillimisht, ju bëjmë me dije se, projektligji me VKM nr. 809, date 28.10.2026, është miratuar nga Këshilli i Ministrave mbi bazën e propozimeve të paraqitura nga Ministria e Financave. Lidhur, me pretendimin se “Gabimisht niveli i akcizës për duhanin e hapur (fine cut) është trajtuar pothuajse me të njëjtin nivel taksimi si cigaret”, sikurse është sqaruar dhe më herët, mbi pretendimin se barazimi i nivelit të akcizës për duhanin e prerë imët me atë të cigareve është në kundërshtim me Direktivën 2011/64/BE, sqarojmë se, kjo direktivë përcakton nivele minimale të akcizës për këto kategori dhe jo nivelet maksimale. Konkretisht:
-për cigaret minimumi është 90 euro/1000 cigare;
-për duhanin e prerë imët për dredhjen e cigareve minimumi është 60 euro/kg.
Risjellim në vëmendje se, direktiva nuk parashikon diferencime në nivelin e akcizës brenda së njëjtës kategori për produktet e importit apo prodhimit vendas.
Ndërkohë, lidhur me pretendimin se “…niveli i akcizës në fuqi për duhanin e prerë imët (fine cut) prodhim vendi është 42 Euro per kg ose 30% më e ulët se niveli 60 euro për kg.”, edhe në qëndrimin e mbajtur më herët, si dhe në relacionin shpjegues të projektligjit, kemi sqaruar se për këtë kategori niveli i akcizës është më i ulët se niveli minimal i parashikuar nga Direktiva, si dhe aplikohet nivel akcize i diferencuar në krahasim me importin. Në këto kushte, dhe si rezultat i angazhimeve në kuadër të procesit të integrimit, nisur nga rekomandimet e strukturave të Bashkimit Evropian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, mbi domosdoshmërinë e eliminimit të diferencimit të taksimit për këto produkte, është propozuar unifikimi i tarifës, duke parashikuar barazimin në vitin 2030. Pra, me anë të këtij projektligji, arrihet niveli minimal i parashikuar nga Direktiva në fjalë për prodhimin vendas, si dhe unifikohet tarifa për këtë kategori (import dhe prodhim vendi) në vitin 2030.
Oponence avokati Saimir Laçej:
Me keqardhje konstatoj se MF vijon të mbajë qëndrime, duke devijuar nga thelbi i problematikave:
Çështja e diferencimit të duhanit të prodhuar nga gjethe duhani të prodhuara në Shqipëri është një problematike e ndryshme nga përafrimi me Direktivën 2011/64/ec për të përmbushur nivelin minimal prej 60 Euro për kg
Të parashikuar ne Direktive. Barazimi i akcizës se duhanit fine cut me cigaret është deformim i qëllimit të deklaruar në relacionin e ligjit dhe në tabelën e përputhshmërisë. Rezultati i këtij deformimi sjell monopolizim të Tregut të duhanit në favor të importuesve të cigareve dhe faliment për qindra fermerë dhe përpunues që kanë investuar në këtë sektor. Gjithashtu trendi i formalizimit të këtij sektori me rritje rreth 20% në vit do të zhbëhet përmes rritjes së motivimit përberë evazion. Kjo nuk është qasja që ka BE për këto politika.
Qëndrimi i MF
Propozimi për të mbajtur të pandryshuar nivelin e akcizës për duhanin e prerë imët nga importi në 7,750 lekë/kg gjatë periudhës 2027-2033 nuk është në përputhje me qasjen e kalendarit të propozuar të akcizave për produktet e tjera tradicionale të duhanit dhe me frymën e ligjit. Projektligji parashikon një rritje graduale të niveleve të akcizës për produktet e duhanit dhe nënproduktet e tij, me synim përafrimin progresiv me standardet e Bashkimit Evropian dhe ruajtjen e koherencës së politikës fiskale. Në këto kushte, mbajtja e pandryshuar e akcizës për një kategori të caktuar, ndërkohë që rriten nivelet e akcizës për kategori të tjera të krahasueshme që kanë të njëjtin qëllim përdorimi dhe funksioni apo impakti tek konsumatori, do të krijonte një trajtim preferencial për këtë kategori, duke sjellë diferencime fiskale ndërmjet produkteve të ngjashme të duhanit për tymosje dhe bie ndesh me parimin e neutralitetit tatimor.
Oponencë avokati Saimir Laçej:
Parimin i neutralitetit tatimor është mbrojtur nga Direktiva 2011/64/EC me te cilën pretendohet se po përafrohemi. Direktiva i ka diferencuar nivelet e akcizës sipas kategorisë se produkteve bazuar ne shkallen e përpunimit,
Sipas neneve 10 deri 14 te Direktivës përkatësisht 60 Euro per duhanin fine cut dhe 115 Euro për cigaret.
Nëse do të mbrohej neutraliteti do të duhet të ruhej raporti detyrues në Direktivë afërsisht 1:2 dhe jo barazimi apo rritja jo proporcionale për vetëm një kategori.
Dhe së fundi për koordinatorin e Zyrës se Bashkëqeverisjes:
Nëse sesionet e qëndrimeve vijojnë te përsëriten pa u verifikuar nga një pale e trete e paanshme pa kompleksin e justifikimit te lapsusit me pasoje shkatërrimtare për një industri, nuk përmbushet qëllimi te cilin është krijuar kjo platformë.
Uroj që ky komunikim te shërbejë për të reflektuar dhe nëse është e mundur edhe për të pasur një takim të dedikuar për këtë çështje./ Monitor.al


