Nga Shkodra drejt Tiranës pasi mori bizhuteritë në shtëpi, zbardhen detaje për 13-vjeçaren e përdh'unuar

Detaje të reja janë zbardhur lidhur me rastin e 13-vjeçares shqiptaro-amerikane, e cila u largua nga banesa e saj në Shkodër dhe u gjet disa ditë më vonë në Tiranë. E mitura është në qendër të një hetimi për dyshime për abuzim seksual.
Gazetari Bepin Kolvata ka dhënë detaje mbi dinamikën e ngjarjes, lëvizjet e vajzës pas largimit nga banesa dhe personat që dyshohet se janë përfshirë.
Sipas gazetarit, 13-vjeçarja ishte larguar me iniciativën e saj nga banesa, pasi familja ishte rikthyer nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ishte vendosur në Shkodër. Ajo nuk ishte paraqitur në shkollë, por kishte shkuar në drejtim të stacionit të autobusëve për të udhëtuar drejt Tiranës. Mungesa e saj u konstatua nga nëna, e cila më pas njoftoi policinë.
Pas disa ditësh kërkimesh, e mitura u gjet në kryeqytet, në një gjendje të rënduar psikologjike dhe emocionale. Sipas informacioneve të bëra publike nga gazetari, gjatë ditëve të largimit ajo kishte qëndruar jo vetëm në Tiranë, por kishte lëvizur edhe në Vlorë, Gjirokastër, Fier dhe Burrel.
Një nga aspektet më shqetësuese të hetimit lidhet me dyshimet për abuzim seksual. Sipas dëshmisë së parë të të miturës, ajo dyshohet se është abuzuar në Tiranë dhe në qytete të tjera ku ka qëndruar. Gazetari bëri me dije se hetuesit po verifikojnë përfshirjen e personave të tjerë, përtej dy të arrestuarve.
Sipas raportimit, numri i personave që dyshohet se mund të kenë abuzuar seksualisht me të miturën mund të jetë nga 5 deri në 7, por ky informacion mbetet në kuadrin e dyshimeve dhe pritet të verifikohet nga organet e drejtësisë.
Vajza ka deklaruar në dëshminë e saj të parë se kishte shkuar me dëshirë dhe se veprimet i kishte kryer me vullnetin e saj. Megjithatë, gazetari theksoi se këto deklarime janë dhënë në një gjendje të rënduar emocionale dhe psikologjike.
Ndërkohë, bëhet me dije se përpara largimit vajza dyshohet se kishte marrë disa bizhuteri nga banesa, me qëllim sigurimin e parave për të financuar lëvizjet e saj. Sipas gazetarit, deri më tani nuk është konfirmuar nëse ajo kishte komunikuar me persona të tjerë përpara se të largohej nga Shkodra.
Kolvata u ndal edhe te rrethanat familjare të së miturës, duke bërë me dije se babai i saj ndodhet në burg dhe se vajza jetonte me nënën. Megjithatë, mbetet e paqartë nëse përpara largimit ka pasur konflikte familjare që mund të kenë ndikuar në vendimin e saj.
Aktualisht, 13-vjeçarja ndodhet në Tiranë, në një qendër të specializuar për trajtimin dhe mbrojtjen e të miturve në situata të tilla.
Për ngjarjen janë arrestuar 46-vjeçari Adrian Qerimi dhe 49-vjeçari Elton Vrenozi, ndaj të cilëve gjykata ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”. Ata dyshohen për veprat penale “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur” dhe “Trafikimi i të miturve”.


