Rëndohet bilanci i atentatit në Fier, ndërron jetë edhe Jakup Hasani

Aktualitet

Rëndohet bilanci i atentatit në Fier, ndërron jetë edhe
Shkon në dy numri i viktimave nga atentati i rëndë i ndodhur paraditen e së hënës në qytetin e Fierit. Jakup Hasani, 47-vjeçari që mbeti i plagosur rëndë gjatë sulmit me armë, ku u vra xhaxhai i tij, Selami Hasani, ka ndërruar jetë në spital.

Mësohet se 47-vjeçari kishte marrë tre plumba në trup dhe iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale në Spitalin Rajonal të Fierit. Pas operacionit, ai u vendos në repartin e reanimacionit, ku pavarësisht kujdesit intensiv të mjekëve, nuk arriti t'u mbijetonte plagëve të marra.

 

Atentati i përgjakshëm ndodhi në lagjen “1 Maji” të Fierit, në oborrin e banesës së Selami Hasanit, i njohur edhe si “Sel Çami”. Persona të armatosur hapën zjarr në drejtim të 60-vjeçarit dhe nipit të tij, teksa ndodheshin në oborrin e vilës së rrethuar me mure të larta dhe të pajisur me kamera sigurie.

Selami Hasani, i njohur edhe me nofkën “Seli i Malit”, kishte precedentë të mëparshëm kriminalë dhe prej rreth tre dekadash ishte në hasmëri me Arben Isufajn, i njohur si “Ben Qimja”. Hasani ishte dënuar me 25 vite burg për vrasjen e nipit të Isufajt, Julian Isufaj më 25 mars 2002 dhe kishte dalë nga burgu në vitin 2022.

Hakmarrja është njëra prej pistave që po hetohet. Djali i Isufajt dhe dy të tjerë janë shoqëruar në polici. "Ben Qimja" ndodhet në kërkim pasi i është caktuar masa e arrestit në burg për kanosjen e gjyqtarit Vladimir Cjapi dhe armëmbajtje pa leje.

Me vdekjen e Jakup Hasanit, atentati i rëndë në Fier regjistron dy viktima, ndërsa rrethanat dhe autorët e ngjarjes mbeten objekt i hetimeve.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion