Grupi i PS zbret në 81 deputetë, Elisa Spiropali reagon pas përjashtimit

Deputetja Elisa Spiropali ka reaguar pas vendimit për përjashtimin e saj nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Spiropali ka njoftuar se ditën e nesërme, në orën 11:00, do të mbajë një konferencë për shtyp nga ambientet e Kuvendit.
“Flasim nesër në 11:00 në konferencë shtypi nga Kuvendi”, shkruan Spiropali. Deputetja nuk ka dhënë detaje të mëtejshme lidhur me vendimin e përjashtimit, ndërsa pritet që gjatë konferencës për shtyp të bëjë publik qëndrimin e saj mbi zhvillimet e fundit brenda Partisë Socialiste.
Grupi parlamentar i Partisë Socialiste është tkurrur në 81 deputetë nga 83 që fitoi në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, pas përjashtimit të Elisa Spiropalit dhe ikjes se deputetes shkodrane Marjana Koçeku. Vendimi erdhi pas deklaratave të Edi Ramës në Asamblenë Kombëtare të PS-së në Durrës.
Në mbledhjen me dyer të mbyllura sot munguan Edi Rama, Belinda Balluku, Fatmir Xhafaj dhe Damian Gjiknuri. Ndërkohë Taulant Balla shmangu komentet mbi përplasjet brenda PS-së, por theksoi se reforma zgjedhore duhet të përmbyllet brenda 30 nëntorit. Ndryshe nga PD, socialistët mbështesin përdorimin e pajisjeve për identifikimin elektronik. Pas këtij vendimi PS që të bëjë 84 deputetë i duhen votat e tre deputetëve të PSD së Tom Doshit.
Pra në të gjitha rastet Kryeministri i bën 84 vota dhe kalon çdo Kod në parlament. Kurse Elisa Spiropalit i mbetet vetëm të krijojë parti të re e vetme ose bashkë me Marjana Koçekun. Mundet edhe me Erion Veliajn, por akoma kryebashkiaku nuk ka folur për largim nga PS. Në fakt në këto 35 vite çdokush që ka krijuar parti jashtë PD e PS ka përfunduar me dy ose tre deputetë, përjashtuar Ilir Metën që ka arritur deri në 17 deputetë, por ai ishte Ilir Meta!


