Identifikohen shqiptarët që tentuan të vidhnin rezidencën e princit William në Britani, ja kush janë

Bota

Identifikohen shqiptarët që tentuan të vidhnin rezidencën e
Dy shqiptarët e dyshuar për hyrjen me qëllim grabitjeje në rezidencën e Princit William dhe Princeshës Kate në Norfolk të Anglisë janë identifikuar si Mirgen Doku, 34 vjeç, dhe Arilen Ndoci, 32 vjeç. Të dy janë akuzuar zyrtarisht nga autoritetet britanike për hyrje në banesë me qëllim vjedhjeje dhe shkelje të një zone të mbrojtur.

Sipas raportimeve të mediave britanike, njëri prej tyre dyshohet se qëndronte në Mbretërinë e Bashkuar në mënyrë të parregullt, pasi kishte paraqitur më herët një kërkesë për azil, afati i së cilës kishte përfunduar. Për statusin e emigracionit të personit tjetër nuk janë bërë publike detaje.

Ngjarja ndodhi të hënën në mbrëmje, në pronën mbretërore Sandringham Estate, në Norfolk, ku ndodhet rezidenca Anmer Hall. Policia u njoftua pak para orës 18:00, pas raportimit të një aktiviteti të dyshimtë në pronë.

Sipas autoriteteve, në momentin e incidentit, banesa ishte bosh dhe as Princi William, as Princesha Kate dhe tre fëmijët e tyre nuk ndodheshin aty.

Pas sinjalizimit, policia britanike nisi një operacion kërkimi në territorin e pronës mbretërore. Në aksion u angazhuan qen nuhatës, dronë dhe një helikopter i Shërbimit Kombëtar të Policisë Ajrore, i cili ndihmoi në kontrollin e zonës. Dy të dyshuarit u lokalizuan dhe u arrestuan brenda territorit të pronës.

Rezidenca Anmer Hall është një vilë me 10 dhoma gjumi, e ndodhur në pronën private Sandringham. Ajo iu dhurua Princit William dhe bashkëshortes së tij nga Mbretëresha Elizabeth II me rastin e martesës së tyre në vitin 2011. Çifti e përdor këtë pronë kryesisht për fundjava dhe pushime, ndërsa banesa e tyre kryesore ndodhet në Windsor.

Sipas agjencisë Reuters dhe Associated Press, Doku dhe Ndoci pritet të paraqiten këtë të mërkurë përpara Gjykatës së Magjistraturës në Norwich, ku do të shqyrtohet çështja ndaj tyre. Ndërkohë, Pallati Kensington ka refuzuar të komentojë ngjarjen, duke iu referuar çështjeve të sigurisë.

Hetimet vijojnë për të përcaktuar rrethanat e plota të incidentit dhe nëse të dy personat kishin arritur të merrnin sende nga rezidenca. Deri në një vendim gjyqësor, ata konsiderohen të dyshuar dhe akuzat ndaj tyre nuk përbëjnë provë fajësie

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion