Zbulohet skema e mashtrimit, shqiptarët telefononin qytetarë duke u hequr si punonjës bankash, 80 mijë euro të vjedhura

Kosovë&Rajon

Zbulohet skema e mashtrimit, shqiptarët telefononin qytetarë duke u

Një rrjet i madh mashtrimi financiar, i cili dyshohet se drejtohej nga Kosova dhe kishte shtrirë aktivitetin në të gjithë Norvegjinë, është zbuluar nga autoritetet norvegjeze. Të paktën 85 persona, kryesisht gra të moshuara, dyshohet se kanë rënë pre e kësaj skeme, ndërsa dëmi financiar vlerësohet në rreth 8 milionë korona norvegjeze, ose afërsisht 750 mijë euro.

Sipas mediave norvegjeze, përfshirë televizioni publik norvegjez NRK NRK dhe gazetën Aftenposten, në këtë çështje janë nën hetim më shumë se 20 të rinj, të moshës 18 deri në 24 vjeç, nga jugu i rajonit Rogaland. Ata dyshohet se kishin role të ndryshme në organizimin dhe realizimin e mashtrimeve, duke shërbyer kryesisht si ndërmjetës për kalimin e parave të përfituara në mënyrë të paligjshme.

Hetimet kanë zgjatur rreth një vit dhe policia nuk përjashton mundësinë që numri i viktimave të kalojë 100, ndërsa vijojnë verifikimet për identifikimin e personave të tjerë të mashtruar.

Sipas inspektorit të policisë Lars Ole Berge, nga Distrikti Policor Sør-Vest, viktimat janë nga të gjitha rajonet e Norvegjisë, ndërsa telefonatat mashtruese kryheshin nga persona që ndodheshin në Kosovë.

Shuma më e madhe që dyshohet se i është marrë një viktime të vetme arrin në 853 mijë korona norvegjeze, rreth 80 mijë euro.

Një nga detajet më shqetësuese të kësaj skeme është mënyra se si autorët arrinin të fitonin besimin e viktimave. Ata telefononin kryesisht gra të moshuara, prezantoheshin si punonjës të bankave dhe u thoshin se llogaritë e tyre bankare rrezikoheshin nga përdorimi i paautorizuar.

Përmes një komunikimi të sjellshëm dhe bindës, mashtruesit përpiqeshin të krijonin besueshmëri, ndërkohë që shfrytëzonin frikën dhe gjendjen e stresit të viktimave për t'i bindur të zbulonin të dhënat bankare ose të kryenin transferta parash.

“Telefonojnë gra të moshuara dhe prezantohen si përfaqësues të bankës, duke u thënë se do t'i ndihmojnë të shmangin një keqpërdorim të mundshëm të llogarive të tyre. E bëjnë këtë në mënyrë të sjellshme dhe shumë bindëse, ndërsa njëkohësisht shfrytëzojnë frikën dhe reagimet e stresit të viktimave”, ka shpjeguar Berge.

Skema mbështetej në teknika të njohura si smishing dhe vishing. E para realizohet përmes mesazheve mashtruese SMS, ndërsa e dyta përmes telefonatave, me qëllim marrjen e informacioneve personale dhe bankare të viktimave.

Sipas hetimeve, mesazhet dhe telefonatat vinin nga Kosova, por paraqiteshin sikur dërgoheshin nga numra telefoni norvegjezë, duke e bërë më të vështirë identifikimin e autorëve.

Hetimi policor nisi më 18 dhjetor të vitit të kaluar, pasi një grua rreth të pesëdhjetave denoncoi se ishte mashtruar. Sipas informacioneve të publikuara nga NRK, ajo kishte marrë fillimisht një mesazh SMS që dukej sikur vinte nga gjykata e rrethit. Pak më vonë, e kishte telefonuar një person që i kishte thënë se dikush po përpiqej ta mashtronte. Pikërisht në atë moment kishte nisur mashtrimi i vërtetë.

Autoritetet dyshojnë se pas organizimit të gjithë skemës qëndronin tre persona që vepronin nga Kosova, të cilët bashkëpunonin me një grup të rinjsh në Norvegji dhe në zona të tjera të vendit.

Të rinjtë shërbenin si ndërmjetës për paratë

Një pjesë e rëndësishme e organizimit ishte përdorimi i të ashtuquajturave “mushka financiare”. Bëhet fjalë për persona që vënë në dispozicion llogaritë e tyre bankare për të marrë para të përfituara nga mashtrimet dhe më pas i transferojnë ato në llogari të tjera, shpesh jashtë vendit, ose i tërheqin për t'ua dorëzuar personave të tjerë.

Sipas informacioneve të publikuara nga NRK gjatë muajit maj, në një nga fazat e para të operacionit policor, gjashtë të rinj të moshës 18 deri në 22 vjeç u arrestuan në disa lokacione të Distriktit Policor Sør-Vest dhe në dy zona të tjera të Norvegjisë. Katër prej tyre dyshohej se kishin shërbyer si “mushka financiare”.

Eksperti i mashtrimeve në bankën SpareBank 1 Sør-Norge, Gunnar Wold, ka paralajmëruar se persona të tillë shpesh rekrutohen përmes rrjeteve sociale, përfshirë Snapchat-in. Sipas tij, disa prej tyre mund të mos e kuptojnë plotësisht se në çfarë veprimtarie janë përfshirë, pasi u premtohen para të shpejta në këmbim të përdorimit të llogarive të tyre bankare.

Ai ka theksuar gjithashtu se mashtrimet e kësaj natyre po bëhen një problem gjithnjë e më i madh dhe se autorët janë të aftë të manipulojnë viktimat përmes komunikimit bindës dhe krijimit të frikës.

Dy nga tre organizatorët janë arrestuar

Sa i përket personave që dyshohet se drejtonin rrjetin nga Kosova, zhvillimet e fundit tregojnë se dy prej tre organizatorëve të dyshuar janë arrestuar, ndërsa i treti vijon të jetë në kërkim.

Sipas raportimit të Aftenposten, dy personat e arrestuar ndodhen në paraburgim. Avokatët mbrojtës të tyre nuk kanë pranuar të komentojnë çështjen për mediat dhe nuk u janë përgjigjur pyetjeve.

Ndërkohë, policia vijon të mbledhë prova për të përcaktuar rolin e secilit prej të dyshuarve dhe përmasat e plota të aktivitetit kriminal.

Hetuesit kanë zbuluar gjithashtu se personat që dyshohet se qëndronin në krye të rrjetit kishin bërë një jetë luksoze, duke blerë mallra me vlerë të lartë dhe automjete sportive.

Hetimet vijojnë, priten më shumë viktima

Policia norvegjeze po punon për të identifikuar të gjitha viktimat dhe për të dokumentuar lëvizjet e parave të përfituara nga mashtrimet. Autoritetet po mbledhin informacione nga bankat dhe institucionet financiare brenda dhe jashtë Norvegjisë, ndërsa po analizojnë provat e sekuestruara dhe po marrin në pyetje personat e përfshirë.

“Na pret ende shumë punë. Jemi duke mbledhur informacione nga bankat dhe institucionet financiare në Norvegji dhe jashtë saj. Po bëjmë grumbullim të gjerë të informacioneve, shqyrtim të provave të sekuestruara dhe analiza, ndërsa duhet të zhvillohen ende edhe intervista me persona të përfshirë”, ka deklaruar prokurori Berge.

Përveç dokumentimit të mashtrimeve, hetuesit po zhvillojnë edhe një proces paralel për gjurmimin dhe rikuperimin e parave dhe pasurive që dyshohet se janë siguruar përmes kësaj veprimtarie kriminale.

Sipas vlerësimeve të policisë, çështja mund të zgjerohet më tej, pasi numri i viktimave pritet të kalojë 100. Gjykimi për të dyshuarit pritet të zhvillohet në pranverën e vitit të ardhshëm.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion