Zjarr në termocentralin në Irak, të paktën 4 viktima dhe 35 të pl*gosur

Të paktën katër persona humbën jetën dhe 35 të tjerë u plagosën nga një zjarr që shpërtheu të shtunën në termocentralin Hartha, në provincën jugore të Basrës në Irak, njoftuan autoritetet.
Qendra për Informim e Sigurisë së Irakut njoftoi për viktimat dhe të plagosurit përmes një deklarate në platformën amerikane të rrjeteve sociale Facebook, duke bërë të ditur se shifrat bazoheshin në vlerësimet paraprake.
Në deklaratë thuhej se ekipet e mbrojtjes civile ndërhynë për shuarjen e zjarrit, ndërsa forcat e sigurisë rrethuan objektin dhe siguruan zonën përreth.
“Njësitë policore të Drejtorisë dhe Stacionit të Policisë Al-Hartha, së bashku me Batalionin e Parë të Brigadës së 83-të të Këmbësorisë së Mekanizuar, rrethuan vendngjarjen dhe siguruan zonën përreth, nën mbikëqyrjen e drejtpërdrejtë në terren të Komandës së Zonës së Tretë të Sigurisë”, thuhej në deklaratë.
Autoritetet njoftuan se të plagosurit kishin pësuar djegie dhe shkallë të ndryshme asfiksie dhe ishin transportuar për të marrë ndihmën e parë dhe trajtim mjekësor.
Qendra për Informim e Sigurisë bëri të ditur se hetimet në terren ishin në vazhdim për të përcaktuar rrethanat dhe shkakun e zjarrit.
Ajo shtoi se informacione të mëtejshme do të publikoheshin sapo të bëheshin të ditura hollësi të reja.


