"Vra'sje mak'abre në prezencë të fëmijëve"/Naim Murseli kërkon ulje të burgimit të përjetshëm, reagon vëllai i Liridona Ademajt

Naim Murseli, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridona Ademajt, ka paraqitur ankesë kundër aktgjykimit të shkallës së parë, duke kërkuar prishjen e vendimit ose, në alternativë, uljen e dënimit.
Raportohet se seanca do të mbahet më 29 tetor, në orën 09:50. Në ankesën prej 30 faqesh, që ishte dorëzuar nga dy avokatët e tij, kërkohet ndryshimi i dënimit, shkruajnë mediat në Kosovë.
Avokatët e Murselit pretendojnë se aktgjykimi përmban shkelje procedurale dhe penale, si dhe kundërthënie ndërmjet dispozitivit dhe arsyetimit.
Sipas mbrojtjes, gjykata nuk i ka trajtuar në mënyrë të mjaftueshme disa nga pretendimet dhe propozimet e paraqitura gjatë procesit gjyqësor.
Në ankesë mbrojtja kundërshton edhe lartësinë e dënimit, duke kërkuar që Murselit t’i shqiptohet një masë më e butë.
Por kërkesa ka sjellë reagimin e Leonard Ademajt, vëllait të Liridona Ademajt, i cili ka kundërshtuar çdo mundësi për uljen e dënimit dhe ka kërkuar që burgimi i përjetshëm të mbetet në fuqi në të gjitha shkallët e gjykatave.
Në një intervistë për IndeksOnline, Ademaj e ka cilësuar kërkesën e Murselit si kontradiktore me qëndrimet e tij të mëparshme, duke theksuar se për tre vjet me radhë ai nuk e ka pranuar fajësinë, ndërsa tani kërkon një dënim më të butë.
“Po kërkesa e tij automatikisht bie në kundërshtim me veten e vet kur për 3 vjet me radhë asnjëherë nuk e ka pranuar fajësinë, tashti me vendimin e gjykatës i ka rënë ndër mend të kërkojë ulje dënimi”, ka deklaruar Ademaj.
Ai ka theksuar se familja e Liridonës nuk sheh asnjë arsye për lehtësimin e dënimit dhe kërkon që vendimi për burgim të përjetshëm të konfirmohet nga gjykatat në të gjitha shkallët.
“Pra pajtohet me dënim, por kërkon ulje. Nuk ka asnjë arsye as asnjë keqardhje për një kriminel të llojit të tij të ketë dënim më të ulët”, është shprehur ai.
Leonard Ademaj ka deklaruar gjithashtu se, sipas tij, ekzistojnë prova të mjaftueshme për të dëshmuar përfshirjen e të dënuarve në vrasjen e motrës së tij, e cila u krye në praninë e fëmijëve.
“Ka prova të mjaftueshme dhe video të mjaftueshme që këta 3 kriminelë e kanë kryer këtë vrasje makabre në prezencë të fëmijëve”, ka thënë ai.
Në përfundim, Ademaj ka bërë thirrje që çështja të trajtohet me seriozitet, duke theksuar se vendimi duhet të shërbejë edhe si mesazh kundër dhunës ndaj grave.
Ndërkohë, ankesa e paraqitur nga mbrojtja synon rishikimin e aktgjykimit të shkallës së parë, si për pretendimet mbi shkeljet e procedurës, ashtu edhe për masën e dënimit të dhënë ndaj Naim Murselit.


