Transporti urban në kaos, kërkon lehtësira nga qeveria, publikohen kërkesat e tyre

Aktualitet

Transporti urban në kaos, kërkon lehtësira nga qeveria,
Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas i kërkon qeverisë përjashtimin e autobusëve të transportit publik, nga taksa e re e qarkullimit, heqjen e akcizës së karburantit dhe aplikimin e një norme të reduktuar të TVSH-së prej 6%.

Propozimet synojnë të kufizojnë rritjen e kostove të operatorëve dhe të garantojnë vijimësinë e shërbimit publik.

Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas i ka paraqitur qeverisë një paketë propozimesh për lehtësimin e barrës fiskale të sektorit, në kuadër të diskutimeve për Paketën Fiskale 2027. Kërkesat lidhen me taksën e re të qarkullimit, akcizën e karburantit dhe trajtimin e TVSH-së për shërbimin e transportit publik qytetas.

Në lidhje me propozimin për heqjen e taksës së qarkullimit nga çmimi i karburantit dhe transferimin e saj në një mekanizëm të ri taksimi të automjeteve, shoqata kërkon që autobusët e regjistruar dhe të licencuar për transport publik qytetas të përjashtohen shprehimisht nga detyrimi i ri, nëse ai do të aplikohet si taksë vjetore mbi automjetet.

Sipas shoqatës, taksa aktuale e qarkullimit mbi gazoilin është 32 lekë për litër, pa përfshirë efektin e TVSH-së, duke përbërë një zë të drejtpërdrejtë të kostove të operatorëve. Për këtë arsye, kërkohet që ndryshimi i mekanizmit të mbledhjes së taksës të mos sjellë një barrë të re fiskale për transportin publik.

Propozimi parashikon gjithashtu një dispozitë të posaçme ligjore për përjashtimin e autobusëve, si dhe procedura të thjeshtuara verifikimi përmes licencave, dokumentacionit të mjeteve dhe regjistrave të autoriteteve kompetente.

Kërkohet heqja ose rimbursimi i akcizës

Një tjetër kërkesë e shoqatës lidhet me akcizën e karburantit të përdorur nga operatorët e licencuar të transportit publik qytetas. Përmes ndryshimeve në legjislacionin përkatës, kërkohet krijimi i një regjimi të posaçëm që mundëson përjashtimin nga akciza të gazoilit të përdorur ekskluzivisht për këtë shërbim.

Nëse përjashtimi i drejtpërdrejtë nuk është i mundur, shoqata propozon ngritjen e një mekanizmi rimbursimi për sasitë e dokumentuara të karburantit të konsumuar gjatë ushtrimit të aktivitetit.


Sipas propozimit, rimbursimi duhet të kryhet çdo muaj ose tremujor, me afate të përcaktuara për shqyrtimin e kërkesave dhe ekzekutimin e pagesave. Përfitimi do të lidhej me faturat fiskale të furnizimit, licencat e transportit, mjetet e regjistruara dhe kilometrat e realizuar sipas programeve të miratuara.

Shoqata argumenton se operatorët e transportit publik nuk mund t’i përshtatin në mënyrë të njëanshme tarifat sipas luhatjeve të çmimit të karburantit, pasi shërbimi funksionon mbi tarifa dhe itinerare të përcaktuara. Për rrjedhojë, rritja e kostove ndikon drejtpërdrejt në qëndrueshmërinë financiare të tyre.

Shoqata kërkon gjithashtu shqyrtimin e aplikimit të një norme të reduktuar të TVSH-së prej 6% për shërbimet e transportit publik qytetas të udhëtarëve.

Kërkesa vjen në kuadër të propozimeve fiskale që, sipas dokumentit të shoqatës, parashikojnë rritjen e normës standarde të TVSH-së nga 20% në 21%. Sipas saj, transporti publik duhet të trajtohet si një shërbim me interes të drejtpërdrejtë publik dhe social, duke pasur parasysh rolin që luan në lëvizjen e përditshme të qytetarëve.

Përveç normës së reduktuar, shoqata kërkon vlerësimin e një mekanizmi të posaçëm për trajtimin e TVSH-së mbi karburantin, pjesët e këmbimit, shërbimet e mirëmbajtjes dhe investimet në mjete. Sipas saj, çdo ndryshim duhet të shoqërohet me analizën e së drejtës së kreditimit të TVSH-së së blerjeve, në mënyrë që lehtësimi të ketë efekt real në kostot e operatorëve.

Në rast se norma e reduktuar nuk rezulton e realizueshme ose efektive, propozohet shqyrtimi i një mekanizmi kompensimi buxhetor për kostot shtesë të provuara që mund të lindin nga ndryshimet fiskale./Monitor /

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion