“Sot Erjoni, nesër kush?”, Elbasani në këmbë për Erjon Vishkullin: Shërim të shpejtë

“Këtë herë, përtej 90 minutave, luajmë edhe për Erjonin”. Me këtë premtim, AF Elbasanit, tifozët, lojtarët, stafi, të gjithë u bënë bashkë për t’i shprehur solidaritetin dhe mbështetjen tifozit të tyre, Erjon Vishkulli. Përpara sfidës ndaj Partizanit, lojtarët zbritën në fushë me një fanellë dhe një dedikim kushtuar tifozit i cili gjatë protestave studentore pësoi një dëmtim të rëndë në sy ku u godit me një plumb gome: “Shërim të shpejtë Erjon”, shkruhej në fanellën që lojtarët mbanin në duar.
Nuk munguan as banderolat në stadium, ku në një prej tyre tifozët verdheblu shkruanin: Sot Erjoni, nesër kush?.
Mbështetja e tifozëve dhe i gjithë ambientit në Elbasan ndaj Erjon Vishkullit, ishte pjesa më e bukur e këtij takimi. Ashtu siç premtuan përpara kësaj sfide, të gjithë të ardhurat nga takimi Elbasani-Partizani do të shkojnë për Erjon Vishkullin i cili aktualisht ndodhet në Romë ku iu nënshtrua një tjetër ndërhyrje kirurgjikale për të shpëtuar shikimin.


